Tezja Fazile ishte mami e doktoreshë e fshatit Pidiq

Ramadan Hasani

Tezja Fazilja ishte e lindur në fshatin (lagjen) Haxhaj i Epërm, kurse në Pidiq erdhi nuse për Saqipin.

Unë e mbaj mend si të moshuar. E vogël nga shtati, ashtu si gjitha nënëloket tona, e dobët nga shëndeti, e kërrusur nga sakrificat e jetës.

Kushtet e jetës ishin të tmerrshme asokohe. Nuk kishim ilaçe, ambulancë, as mjek e spitale.

Për ndaljen e gjakderdhjes nga plagët e rastit, përdornim duhan ose merimanga.
Ishte mrekullia e zotit që asnjëherë nuk u infektuam.

Po nënat tona çfarë bënin kurë “lejleku” në shtëpitë tona sillte ndonjë motër a vëlla të vogël.

Aty ishte tezja Fazile. Ajo ishte ‘mami’ dhe ‘doktor’ në gjinekologji, ndonëse nuk kishte asnjë ditë shkollë.

Në mënyrë perfekte lidhte dhe priste kërthizat, lante bebet, qëndronte me nënat lehona aq sa e shihte të arsyeshme.

Lidhja ose prerja e kërthizës në mënyrë jo profesionale shkaktonte vdekjen e bebes pas 5-6 muajve.

Nuk janë të rralla rastet e vdekjeve në Klinika të specializuara bashkëkohore.

Tezes Fazile asnjëherë nuk i ka ndodhur diçka e tillë!

Kurrë dhe asnjëherë nuk merrte shpërblime për shërbimin e ofruar.

Isha i vogël, në shtëpinë tonë erdhi tezja Fazile. Prisja lejlekun të sjell në hakarina një motër ose vëlla të vogël.

Pas një pritje të gjatë, nga shtëpia doli tezja Fazile.

Për hair, për hair motra e vogël, tha ajo.
Po kah erdhi aj lejlek? Unë gjithë ditën prita në oborr.

Hyri për oxhaku, tha tezja Fazile me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël.

Ma vonë kuptova se tezja Fazile, bashkë me lejlekun sillnin bebe në çdo shtëpi në Pidiq dhe fshatrat përreth.

Në Dukagjin, grave që asistojnë në lindje, lidhin dhe presin kërthizat e bebeve, u thonë Ndrikull. Ne u themi Teze.

Besoj se ne e kemi më mirë, ngase sipas Kur’anit dhe shkencës, pas prindërve, më i afërm i çdo njeriu është Tezja.

Ishte një grua me edukatë, e sjellshme, e afërt e dashur.

Unë si fëmijë isha më i lazdruari nga moshatarët. Shpeshherë bëja sherre.

Ishte e pa mundur vetëm me kalue nëpër arat me misër në pronësi të saj pa u hetuar.

Tezja Fazile me thupër në dorë më qortonte, por asnjëherë në jetë nuk më ka ra thupër.

Përveç kësaj, në rast të kafshimit të gjarprit, si te kafshët ashtu edhe te njerëzit, tezja Fazile ishte aty, shëronte si mjek specialist.

Edhe thyerjen e këmbëve te kafshët e sanonte me sukses.

Nuk na lejonte t`i mbysim gjarpërinjtë. Jo – thoshte, është gjynah.

Kur ndonjë gjarpër paraqitej në oborre të shtëpive ajo i dilte përpara nja 5-6 metra larg.

I fliste diçka (mbase k`nojke naj dovë)! Gjarpri ndalte lëvizjen, qëndronte në vend nja 4-5 minuta, rrotullohej për 180 shkallë, largohej dhe kurrë nuk kthej në atë vend.

Sot në moshë të shtyrë e kuptova plotësisht tezen Fazile. Më vjen keq për shqetësimet që i shkaktova si fëmijë.

Ndoshta ma bën hallall.

Kur vdiq tezja Fazile, unë isha gati 30 vjeç. Kurrë nuk ia bëjë hallall vetes që nuk dita ta nderoj dhe respektoj ashtu siç meritonte.