Gjilan: Gjobitet vozitësi për tejkalim në vijë të plotë

Policia në Gjilan ka arritur të identifikojë vozitësin, i cili me automjetin e udhëtarëve, shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, tejkalim në vijë të plotë, në rrugën magjistrale Gjilan – Bujanoc, në fshatin Kmetoc.

Kjo informatë, me foto është pranuar falë bashkëpunimit me qytetarë, thuhet në një njoftim nga zyra për informim e policisë në Gjilan.

Policia e ftoi drejtuesin e mjetit në Njësinë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjilan dhe ai është njohur për kundërvajtjen e shkaktuar dhe për këtë mori gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor.

Policia inkurajon mediat dhe qytetarët, si në këtë rast, që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192, 038 50807590.