Gjilan, zhduket nga shtëpia arma me leje – asnjë shenjë thyerjeje

Një rast i pazakontë i vjedhjes së rëndë është raportuar në Gjilan, ku nga një shtëpi në lagjen Arbëria është zhdukur një armë me leje, pa asnjë shenjë hyrjeje me forcë, mëson Sinjali.

Sipas të dhënave, ankuesi Xh. M. ka raportuar se nga banesa e tij në rrugën “Bajram Llovca” i është vjedhur një armë e tipit Beretta 9x19mm, për të cilën posedon leje të vlefshme deri më 03 dhjetor 2029.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën tetor 2025 – 26 prill 2026, kohë gjatë së cilës pronari nuk ka qenë në shtëpi, pasi jeton jashtë vendit.

Sipas deklarimit të tij, shtëpia ka qenë nën kujdesin e motrës së tij, e cila posedon çelësat dhe përkujdeset për pronën. Megjithatë, në vendngjarje nuk është vërejtur asnjë dëmtim i dyerve apo shenjë e hyrjes me forcë dhe nuk raportohet për mungesë të sendeve të tjera, vetëm arma rezulton e zhdukur.

Ankuesi ka deklaruar se nuk ka ndonjë dyshim konkret për autorin e mundshëm.

Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë” dhe është kaluar në trajtim nga Njësia për Hetimin e Krimeve.

Hetimet janë në vazhdim. (foto ilustrim)