Gjilanasi – ‘Mësuesi i Popullit’ në Shqipëri
Qamil Bala (1878-1933) ka lindur në Gjilan, në vitin e Lidhjes së Prizrenit, por këtu dhe përgjithësisht në Kosovë, pak dihet për të. Sipas disa të dhënave, ai ishte i biri i Sherif Hoxhës, i ardhur nga fshati Strezoc i Kamenicës, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Si student i shkollës së Lartë Normale – Pedagogjike në Stamboll, kur vinte për pushime në vendlindje, e shfrytëzonte momentin që të përhapte idetë kombëtare shqiptare.
Gjatë asaj kohe bashkëvendësve u sillte ose u dërgonte libra e gazeta shqipe që dilnin në Stamboll, Bukuresht, Sofje e vende të tjera, me qëllim që të aftësoheshin në shkrim-lexim shqip dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Këtë aktivitet nuk e kishte ndërprerë as sa ishte profesor i gjimnazit në Janinë, Manastir e Selanik.
Në vitet ’20 ishte pjekur mendimi për të krijuar një shkollë të mesme fetare islame, me fizionomi bashkëkohore. Ithtarë të kësaj ideje dhe iniciatorë të kësaj ndërmarrjeje u bënë personalitete të shquara të politikës shqiptare të atyre viteve.
Hapja e një shkolle të tillë shtrohej si një çështje emergjente. Grupi i iniciatorëve kryesorë përfaqësohej nga Hafëz Vehbi Dibra, Sali Vuçiterni, intelektualët e shquar Qamil Bala, Mehdi Frashëri, Ferit Vokopola etj.
Medreseja që do të ngrihej, synonte të përgatiste klerikë të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore, në përputhje me arritjet e arsimit bashkëkohor.
Drejtimi i kësaj medreseje iu caktua Qamil Balës. Ai kishte një përvojë të gjatë pedagogjike si mësues në gjimnazet e Janinës, Selanikut dhe Manastirit, si dhe drejtor i gjimnazit në Jerusalem, drejtor arsimi në Damask e Elbasan. Kishte marrë pjese edhe në Kongresin arsimor të vitit 1922 dhe qe anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Këtij personaliteti iu besua drejtimi i Medresesë së Tiranës, më 1 mars 1924. Bala paraqiti planin mësimor të kësaj shkolle fetare, ku do të jepeshin lëndët: Kur’ani, Fikhu, gjuha arabe, gjuha shqipe, gjuha frënge, historia e Shqipërisë, gjeografia, shkencat, aritmetika e gjeometria, higjiena dhe lëndët e djathtësisë (vizatim, gjimnastikë dhe muzikë).
Për nga programi dhe plani mësimor, kjo medrese ishte e barasvlershme me gjimnazet bashkëkohore. Nga bankat e saj dolën klerikë të aftë, studiues, shkrimtarë e deri akademikë.
Për çështjen e Kosovës, Qamil Bala disa herë ngriti zërin para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Ishte deputet në qeverinë e Nolit.
Për shkak të pjesëmarrjes në Revolucionin Demokratik, si shumë patriotë të tjerë, u detyrua të largohet sërish jashtë vendit.
Gjatë qëndrimit në Perëndim, i shqetësuar për fatin e Kosovës, si diplomat dhe njohës i mirë i situatës ndërkombëtare, shumë herë ngriti zërin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë për gjendjen në Kosovë, duke sulmuar kështu politikën gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve.
Për këtë qëllim pati edhe shumë takime në “Federatën Ballkanike“ dhe shkrime në gazetat e kohës.
Në Shqipëri kthehet pas amnistisë, në vitin 1930, ku zgjidhet drejtor i Shkollës Normale të Vajzave në Tiranë. ”Unë do t`i jap vendit 100 vajza përparimtare, 100 mësuese, 100 nëna me kulturë e koncepte moderne dhe ato bëhen 100 flamurtare për lirinë e shumë të tjerëve“, thoshte mësuesi Qamil Bala.
Qamil Bala, sipas historianit Aliriza Selmani, ishte patriot dhe arsimtar jo vetëm i përmasave kombëtare, por edhe evropiane.
Ai u nda nga jeta në vitin 1933. Pas vdekjes, respektivisht në vitin 1987, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë u dekorua me titullin më të lartë “Mësuesi i Popullit“.
Për veprimtarinë e tij patriotike e posaçërisht në fushën e arsimit, Bala radhitet në një krah me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Shtjefën Gjeqovin e patriot të tjerë të kombit.
Qamil Bala personifikon një intelektual dhe patriot të madh shqiptar, i cili deri në fund të jetës së tij punoi për çështjen kombëtare.
Sot, një rrugë në Gjilan, vendlindjen e tij, e mban emrin e Qamil Balës. /Mediafokus.info

