Gjilanasit rikujtojnë mjekun, humanistin e kronistin e qyetit, Shevqet Mehmet
Para tre vitesh, në moshën 67-vjeçare, ndërroi jetë mjeku i njohur gjilanas, urologu Shevqet Mehmet, njëherësh njëri prej kronistëve më të mirë të këtij qyteti.
Në shenjë kujtimi e respekti, atë e kanë rikujtuar sot shumë persona, miq e shokë, për faktin se ai, përveç mjek, ishte edhe një humanist i madh.
Ofroi shërbime mjekësore falas në ordinancën e tij për disa kategori, për disa vjet me radhë.
Në këtë grup ishin përfshi edhe personat me emrin Ramush e Fetije.
Këta dy emra ishin të veçantë për mjekun gjilanas, sepse Ramush e Fetije quheshin prindërit e tij.
Edhe kjo ishte një mënyrë e tij, mbase e veçantë, për t’i nderuar e kujtuar prindërit.
Po të ishte gjallë, edhe më tutje do të vazhdonte t`i ofronte këto shërbime, sepse kishte premtuar ashtu.
“Pas licencimit deri në vitin 2026, ju informojmë se Ordinanca “Rezonanca dr. Shevqeti” për 5 vjet mundëson kontrollimi gratis për: personat me aftësi të veçanta, personat e sëmurë nga kanceri, personat që kanë emrat Fetije dhe Ramush, emrat e prindërve të mi”, kishte premtuar dr Shevqet.
Që ta duash qytetin tënd dhe njerëzit e tij, duhet t`i njohësh mirë edhe njërin, edhe tjetrin. Dr Shevqeti vinte nga një familje e vjetër dhe e nderuar e Gjilanit.
Dr. Shevçet Mehmet kishte mbaruar fakultetin në Universitetin e Beogradit, në para afat, në vitin 1973.
Më pas, specializimin nga Urologjia në Qendrën Klinike Universitare “Rebro”, në Zagreb, studimet post-universitare nga Urologjia si dhe Ultrazërin Klinik.
Ishte autor i mbi 60 punimeve shkencore.
Dikur ishte edhe mjek sportiv i disa skuadrave të futbollit dhe hendbollit.
Një kohë ishte edhe mësimdhënës.
Për më tepër, Dr. Shevçet Mehmet kishte një dashuri të madhe ndaj gjërave antike.
Posedonte edhe muzeun e quajtur “Amaneti”, ku ruhen një numër i konsiderueshëm i gjërave antike.
Intelektualizmi i tij, i shprehur në humanizëm dhe, në virtytet më të larta njerëzore, ka bërë që ai të mbetet një figurë emblematike e qytetit të Gjilanit (Gilanit) edhe pas ikjes në amshim. /Medkiafokus.info

