Ndërroi jetë gruaja që sfidoi një shekull

Në Vërbicë të Zhegocit, sot ka ndërruar jetë gruaja që sfidoi një shekull, Hysnie Pacolli Sejdiu. Njoftimin për vdekjen e saj e ka dhënë nipi, Rexhep Sejdiu, i cili ka shkruar: ‘Sot ndërroi jetë Nana Plakë, njeriu i cili më rriti, më edukoi dhe të cilën çdo herë e kisha pranë’.

Me këtë rast, gazeta online Mediafokus.info riboton shkrimin e Sabedin Sherifit, për këtë grua, e cila ishte një histori njëqind vjeçare.

……………..

Një histori që u shkrua përgjatë një shekulli, e cila më shumë është e mbushur me dhembje dhe vuajte, që aq shumë ngjason në legjendat e vjetra, të treguara brez pas brezi.

Personazhi i këtij shkrimi, është një zonjë e moshuar në Vërbicë të Zhegocit, e cila lindi rreth vitit 1918 apo më herët, pasi që koha në të cilën ajo erdhi në jetë, nuk e memorizoi atë apo brezin e saj.

Hysnie Pacolli Sejdiu ka mbushur më shumë se një shekull jetë dhe ka një shëndet të mirë, nëse merren parasysh vitet që ka lënë mbrapa.

Ne e thërrisnim ndrikull, një emër më të cilin quhen gratë që ua prejnë flokët fëmijëve të vegjël për të parën herë. Por jo vetëm kaq. Ajo fëmijëve ua prente edhe kërthizën dhe ndihmonte nënat tona në lindje.

Nuk ka fëmijë para gjeneratës sonë e më vonë që ka lindur në spitale apo nën përkujdesjen e mjekut apo mamisë. Kjo që sot është e pa imagjinueshme, dikur ishte realitet. Për gratë e fshatit, Hysa ishte mjek, mami e gjithçka tjetër.

Dikur fshati ishte i vogël, por numri i banorëve u rrit dhe lindje kishte më shpesh, andaj halla Hysë, si e quanim të gjithë ne, nuk duhej të largohej nga shtëpia, sepse duhej të kujdesej për një jetë të re që po pritej me aq gëzim.

Ajo ka kaluar nëpër lloj-lloj sfide dhe shpesh të dhimbshme, sidomos për gratë e reja që po prisnin fëmijët e tyre.

Halla Hysë dinte të ngushëllonte dhe dhembjet t`ua lehtësonte lehonave me dashurinë dhe empatinë që posedonte.

Nana Plakë e thërrasin nipërit dhe mbesat e saj, por jo vetëm ata. Nënë nuk ishte vetëm për ta, por edhe më gjerë, për shumë të tjerë.

Gjatë jetës, edhe pse ishte përballur me vuajtje, skamje e mjerim, Nana Plakë arriti të rrisë pesë vajza dhe një djalë.

Dhe sot ajo jeton e rrethuar nga ata, që janë aq shumë sa që e ka vështirë t'i numërojë e t'i mbajë mend emrat e tyre.

Nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa janë aq shumë sa që është vështirë të bësh një gjenogram pa harruar ndonjë.

Si e re, Hysa mbetet e vejë. Barra e familjes ishte shumë e rëndë, aq më tepër që varfëria kishte shtrirë pushtetin e saj.

Ajo, pos si mami, rol ky që e luante me aq zell e përkushtim, njëkohësisht dinte të mjekonte edhe sëmundje të ndryshme, sidomos kafshimet e gjarprit te kafshët.

Nga barishtet që ajo i njihte mirë, bënte kura të ndryshme mjekimi dhe largimi të helmit nga trupi i kafshëve. Prerja e plagëve të kafshuara nga gjarpri dhe pastrimi i tyre ndihmonte me shumë sukses në shpëtimin e kafshëve nga ngordhja.

Për fshatarët, kjo do të thoshte shumë, pasi që bagëtitë ishin gati gjithçka për ta.

Jo vetëm kaq. Hysa ishte një punëtore e madhe dhe shumicën e kohës e kalonte duke bërë punë fushe, për të krijuar të mira materiale për fëmijët e saj.

Verës në fushë e kopshtie të perimeve e dimrit duke thurur veshmbathje për fëmijët dhe nipërit e saj.

Personazhi i këtij tregimi ishte për ne aq i dashur sa që kur flitet për të moshuarit, vendin e saj nuk e zë dot askush tjetër.

I ndava me ju këto pak rreshta, për të kujtuar për së gjalli një grua që ka sfiduar më shumë se një shekull./Sabedin Sherifi/MediaFokus.info