Gjilani apelon për qëndrim në shtëpi dhe ruajtje të ambientit

Në Gjilan sot është mbajtur takimi i Qendrës Operative Emergjente për përballimin e koronavirusit.

U konstatua se strukturat menagjuese të situatës për parandalimin e përhapjes së virusit, janë në funksionim të plotë dhe po punojnë sipas planit të punës.

Ekipi emergjent apeloi te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe njëkohësisht të shmangin daljet në ambient të hapur, konkretisht tek Liqeni i Përlepnicës dhe Livoçit, në parkun e Stanishorit, nëpër parqet e qytetit etj.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës dhe shef ekzekutiv i QOE, u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë maksimalisht rekomandimet e dhëna për parandalimin e koronavirusit dhe njëkohësisht mbrojtjen e ambientit.

“Apeli po bëhet me qëllim që Gjilani të mbrohet nga koronavirusi Covid19 dhe njëkohësisht edhe të shmangen zjarret që në këto ditë kanë shënuar rritje të madhe.

Të gjitha institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe monitorimi i situatës në përgjithësi deri më tani është nën kontroll.

Deri sot nuk ka raste të konfirmuara të qytetarëve të prekur me këtë virus.

Të gjitha pikat kufitare janë në monitorimin 24 orë me ekipet profesionale të QKMF−së, Policisë dhe mbështetja e vazhdueshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, Spitali Regjional dhe të gjithë akterët e përfshirë në këtë ekip, për të kontrolluar të gjithë qytetarët që futen në territorin e Gjilanit nga Maqedonia Veriore dhe nga Serbia”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ndryshe, nënkryetari i Komunës ka ftuar të gjithë furrtarët e Gjilanit, për t’i mbështetur ata në kërkesat që kanë, në mënyrë që buka të mos mungojë në asnjë moment.