Kolosëve të epokave shqiptare, nga sot iu bashkua edhe Kadri Zeka
Në qytetin e Gjilanit bashkëjetojnë brenda një hapësire heronj e kryengritës që kanë bërë emër nëpër epoka, nga Skënderbeu e këndej, shkruan Mediafokus.info
Përmes simbolikës së shtatoreve, Gjilani i ka bërë bashkë kryengritësit e luftërave për bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferin, Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz Cërnicën, Agim Ramadanin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Abdullah Tahirin.
Atyre, prej sot, 16 janar 2024, iu është bashkuar në shesh edhe heroi Kadri Zeka.
Kadri Zeka, veprimtari i paepur i çështjes kombëtare, u vra nga policia sekrete jugosllave, në Gjermani, në janar 1982, së bashku me vëllezërit Gervalla.
Kadriu ishte ishte njeri i qetë kur duhej të ishte i tillë, por ishte vetëtimë kur duhej të shkrepte, një penë e mirë, një diplomat i zgjuar, një atdhetar i madh dhe i pazëvendësueshëm i kohës.
Në sheshin e qytetit, Kadriu i gjeti Idriz Seferin, Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz Cërnicën, Agim Ramadanin, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Abdullah Tahirin.
Idriz Seferi ishte njëri ndër udhëheqësit kryesor në luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj.
Historianët thonë se Idriz Seferi frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet tjera shqiptare.
Nën udhëheqjen e Idriz Seferit, në vitet 1908-1912 u zhvillua kryengritja e Karadakut për të çliruar Shkupin dhe për t’i bashkuar shqiptarët, që ishte kushtrim për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë.
Mulla Idriz Gjilani, edhe pse shërbeu si imam, ai çështjen kombëtare e kishte në plan të parë. Motoja e tij jetësore ishte: “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”.
Nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, në vitin 1944-1945, burra e gra të Karadakut, Gollakut e Moravës së Gjilanit u kryengritën për t’iu dhënë fund perandorive, në mënyrë që të jetojmë të lirë dhe të pavarur.
Ramiz Cërnica, si delegat i rrethit të Gjilanit, në korrik 1945 mori pjesë në Konferencën e Prizrenit, ku edhe formalisht po zyrtarizohej aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë.
Ramizi guxoi që haptas të deklarojë se është kundër këtij aneksimi, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Ai mbajti qëndrim historik kur tha: “Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë – Jo!, me Shqipërinë – Po“, kishte deklaruar Ramiz Cërnica.
Agim Ramadani është simbol i bashkimit të shqiptarëve, përmes shkuljes së gurit të kufirit me luftë të armatosur.
Guri që ndau shqiptarët për shumë vite, tani është në Gjilan, nën këmbët e Agimit, të skalitur në bronz, si dëshmi historike që një popull i ndarë padrejtësisht, sërish ka arritur të bashkohet.
Rexhep Mala nuk u pajtua asnjëherë me regjimin jugosllav, të cilën e kundërshtoi me të gjitha mënyrat, për çka u ndoq, u përjashtua nga shkolla, u arrestua dhe burgos disa herë.
Ra heroikisht në një përleshje të armatosur me forcat policore të Jugosllavisë, së bashku me shokun e tij të idealit, Nuhi Berishën, më 12 janar 1984, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.
Nuhi Berisha jo vetëm që e kishte vizionin e qartë për të ardhmen e Kosovës, por ai e kishte edhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm.
Ra heroikisht, së bashku me shokun e tij, gjatë një përleshje me forcat policore jugosllave, pas një rezistence disa orësh. Të dy këta krijuan bërthamë e parë të lëvizjes studentore të 1981-shit.
Abdullah Tahiri ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1981 dhe më vonë themelues i ZOK-ut e komandant i parë i saj.
Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, arrestohet dhe dënohet me disa vite burgim.
Vritet në burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë.
Në Gjilan mbahet mend fjalimi i tij në një takim të subjekteve politike, ku publikisht kishte kërkuar unitetet dhe bashkim rreth UÇK-së. /Mediafokus.info

