Gjilani hiqet nga zona e kuqe

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sapo ka njoftuar në konferencë për media për ndryshimin e listës së zonave të rrezikshmërisë nga pandemia, shkruan Mediafokus.info

Komuna e Gjilanit është hequr nga zona e kuqe ku ishte deri tani dhe ka kaluar në zonën e verdhë.

Kjo nënkupton se Gjilani nuk do të ketë orë policore të lëvizjes tani e tutje.

Në zonën e verdhë, pos Gjilanit, janë edhe këto komuna: Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu.

Komunat në zonën e verdhë apo me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 150 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Masat që vlejnë për zonën e verdhë:

– Operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

– Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

– Të gjitha institucionet publike dhe private duhet ta reduktojnë stafin e tyre dhe ta organizojnë punën në bazë të Manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

– Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.

– Transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve.

– Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve të Ministrisë së Kulturës dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30 për qind të hapësirës./Mediafokus.info/