Gjilani humb dy pikë, Drita merr një barazim në Klinë
Gjilani i ka humbur dy pikë si vendës, pasi ka luajtur baraz me Llapin, në njërën nga ndeshjet ndoshta më të rëndësishme deri tani, në luftë për kreun e tabelës.
Llapjanët kanë shënuar në pjesën e parë të lojës, nëpërmjet Francisco Rivera (minuta 35), ndërkaq gjilanasit kanë arritur vetëm nga fundi i ndeshjes, për të shpëtuar një pikë, me golin e Krasniqit (minuta 90+1).
Me këtë barazim, Gjilani mbetet sërish në vendin e dytë, me 48 pikë, 3 më pak se Ballkani.
Ndërkaq Drita, e cila po lufton po ashtu për njërin nga dy vendet e para, por me gjasa më të vogla se Ballkani e Gjilani, ka marrë një pikë në Klinë dhe ka ruajtur pozitën e tretë, me 43 pikë, 2 më shumë se Llapi dhe 5 më pak se Gjilani.

