Gjilani me dinamikë të re për 122 projektet të cilat janë në fazën e realizimit

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga drejtorët komunalë planifikim të dinamikës së re të punëve në mbi 120 projekte që janë në proces të realizimit.

“Jemi duke punuar në shumë projekte, kryesisht të infrastrukturës publike, por që domosdo në disa prej tyre duhet të planifikohet dinamikë e re, sepse deri në periudhën e ardhjes së mërgimtarëve, ato duhet të jenë në masë të madhe të përfunduara. Kemi pasur vonesa të mëdha shkaku i pandemisë, mirëpo me fillimin e vaksinimit, është sinjali që po shkojmë drejtë fazës së mbylljes, karshi edhe vendeve tjera dhe tani prioritet mbetet realizimi i projekteve të kontraktuara dhe njëkohësisht mbikëqyrja e tyre e vazhdueshme deri në finalizim”, ka porositur thënë Haziri.

Ai më tej ka potencuar edhe nevojat emergjente të cilat duhet të jenë prioriteti i parë, sikur që edhe bashkëpunimi me donatorët dhe projektet e interest të përgjithshëm, për të vazhduar njëkohësisht me projektet tjera që janë në implementim e sipër.

Haziri ka kërkuar nga Qendra e vaksinimit anti-Covid, ekipi i çertifikuar për vaksinim, që qytetarët të cilët kanë termin për t’u vaksinuar, të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme, me kushtet siç i parasheh protokolli, sepse Gjilani duhet të jetë shembull edhe në këtë drejtim, ndërkohë që pritet një numër më i madh i vaksinave.

Në raportimet e drejtorëve janë konfirmuar angazhimet maksimale, sikur që edhe respektimi i kalendarit të investimeve dhe kalendarit kulturor të Gjilanit.