Gjilani nis aktivitetet për shënimin e 21-vjetorit të çlirimit
Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit të Lutfi Haziri, ka nisur kalendarin e festës së çlirimit të Gjilanit dhe Kosovës, i cili në vete përfshinë një mori aktivitetesh, të zhvillohen nga 11-15 qershor, me qëllim të nderimit dhe respektit ndaj sakrificës, vuajtjeve dhe gjakut të derdhur në luftën për liri.
Në paraqitjen e kalenderit të aktiviteteve, drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, ka konfirmuar se më 25 qershor do të bëhet inaugurimi i shtatores së Abdullah Tahirit, të cilit i kushtohen të gjitha aktivitetet kulturore jetës dhe veprës heroike të tij.
“Nga dita e djeshme aktivitetet në shënim të lirisë së Gjilanit, kanë nisur me ndarjen e çmimit “Beqir Musliu”, sot është mbledhja solemne e bordit të drejtorëve për të koordinuar edhe më tutje të gjitha aktivitetet. Në ditën e nesërme është aktiviteti i mbjelljes së luleve në kujtim të 21-vjetorit të lirisë. Më 14 qershor është e paraparë ceremonia e ndarjes së çmimit “Beqir Musliu”, për të vazhduar me videon online të fëmijëve të lindur në vitin 2008, i cili njihet si shtegu i lirisë”, ka thënë Limani.
Ajo ka njoftuar se më 15 qershor, kur edhe është manifestimi qendror, aktivitetet do të jenë edhe më të shumta.
“Të hënën më 15 qershor fillojnë aktivitetet me homazhe në varrezat e dëshmorëve, për të vijuar me ndarjen e çmimeve “Agim Ramadani”, “Idriz Seferi”, “Hanumshahe Abdullahu”. Njëkohësisht në programin kulturor do të kemi për qytetarët gjilanas edhe shfaqjet teatrale online për tri ditë me radhë. Gjithashtu, këtu janë të parapara edhe ndarja e mirënjohjeve në fushën e kulturës, rinisë, sportit, artit, muzikë, letërsi, art vizuel për të cilën është duke punuar komisioni profesional”, ka thënë ajo.
Një aktivitet tjetër i rëndësishëm është ai i organizuar nga teatri i Gjilanit, me motive kombëtare, nën slloganin “T’fala nga Gjilani” që, gjithashtu mund ta përcillni nga shtëpitë tuaja, sepse shumica dërmuese e aktiviteteve janë në platformën online, për shkak të përballjes me pandeminë globale.

