Gjilanin e ka marrë pusi

Në Gjilan sundon heshtja. Jo ajo e qetësisë, por heshtja e dorëzimit.

Heshtje në rrugë që s’punohen e nuk ndërtohen, hesht pushteti që s’ka çfarë të thotë, heshtë opozita e vdekur për së gjalli.

Në fushatë, makineritë zhurmonin si shpresë e rreme. Bagera e kamionë, gjoja po bëjnë punë.

Zgjedhjet kaluan, zhurma u shua, bagerat e kamionët u zhdukën, e gropat mbetën si dëshmi fizike e mashtrimit.

Tek ne, gënjeshtra nuk ndëshkohet, ajo normalizohet.

Ky është një regjion pa autostradë, por mbi të gjitha pa drejtim. Pa zhvillim, pa vizion, pa guxim.

Qytete të Anamoravës që zbrazën nga të rinjtë, sepse një vend që nuk ofron të ardhme, ua vret shpresën atyre që duhet ta ndërtojnë.

Jeta këtu është e zymtë, fukarallëk i thellë, varfëri materiale e shpirtërore, njerëz pa zë, pa reagim, pa revoltë.

Padrejtësia është ba rutinë në këtë regjion, prandaj shpirti është lodhur së luftuari.

Pushteti i paaftë, arrogant, i zhytur në hajni, punësime familjare, mashtrime, feston.

Opozita e mjerë, e gjunjëzuar as nuk lufton, as nuk skuqet.

Të zgjedhurit shiten lirë, blihen lehtë, sepse kur mungojnë parimet, çdo njeri ka çmim.

Nuk ka dashuri për qytetin, as përgjegjësi për të ardhmen. Ka vetëm mbijetesë politike dhe karrierë personale.

Gjilanin e ka marrë pusi. Jo vetëm si qytet, por edhe si vetëdije.

Kur një shoqëri mësohet të durojë gjithçka,
ajo fillon ta humbasë veten.