‘Gjithmonë do të jetojë ai që vdes me nder’, dedikim për dy heronj nga Anamorava

Në mesin e shumë të vdekurve në luftën e Kroacisë, ishin edhe dy dëshmorë nga Anamorava, Fadil Salihu e Samet Bogujevci.

Eshtrat e këtyre dy dëshmorëve, të vrarë në Gospiq, në vitin 1991, janë kthyer në atdhe pas 17 vitesh (më 2008) dhe janë rivarrosur në Gjilan, shkruan Mediafokus.info

Ata e kishin kuptuar me kohë se të luftosh për lirinë e tjetrit, kundër një të keqe të përbashkët, do të thotë të luftosh për lirinë tënde, të luftosh për lirinë e vëllezërve dhe motrave tua, të luftosh për kombin tënd.

Tomë Kaqinari, kryetar i shoqatës së vullnetarëve të Kroacisë, kishte thënë me atë rast (viti 2008) se Sameti dhe Fadili kanë treguar që e vërteta dhe liria nuk mbrohet vetëm në pragun e shtëpisë, por edhe atje ku liria është e nevojshme dhe e rrezikuar.

Sot, pas 17 vitesh, ata më në fund po varrosen në tokën e tyre, të cilën e kanë dashur aq shumë, por edhe në themelet e shtetit kroat qëndron gjaku i Sametit dhe Fadilit dhe kjo vepër e tyre duhet të rrespektohet sa të jemi gjallë, ka thënë Kaqinari.

Ai e citoi edhe një thënie kroate, sipas së cilës, “gjithmonë do të jetojë ai që vdes me nder”.

Xhezair Miftari, bashkëluftëtar, duke rikujtuar momente nga lufta në Kroaci, së bashku me Sametin dhe Fadilin, tha se rikthimi i eshtrave në Kosovë, ka qenë ideal i tyre i shenjtë, me të cilin shkuan drejt vdekjes, duke iu bashkuar luftës së drejtë për lirinë e popullit kroat, të bindur se po luftojnë një armik të përbashkët./mediafokus.info/