“Gjuha shqipe, më e shenjtë se shenjtëria, më e shtrenjtë se vetë liria” – Ilir Shaqiri me mesazh të fuqishëm në mbështetje të protestës së stundentëve në Shkup
Këngëtari Ilir Shaqiri, ka përcjellë një mesazh emocional dhe patriotik kushtuar gjuhës shqipe, në një kohë kur në rrjetet sociale po shpërndahet edhe thirrja për protestën e paralajmëruar studentore në Shkup.
“Gjuha shqipe — identiteti themelor i kombit shqiptar; më e bukur se bukuria, më e dashur se dashuria, më e shenjtë se shenjtëria, më e shtrenjtë se vetë liria!”, ka shkruar Shaqiri në reagimin e tij publik.
Mesazhi i artistit është komentuar gjerësisht nga qytetarët, të cilët e kanë lidhur atë edhe me protestën e paralajmëruar më 18 maj 2026 në Shkup, ku qytetarët ftohen t’u bashkohen studentëve “të gjithë njëzëri”.
Sipas njoftimit të shpërndarë në rrjetet sociale, protesta do të nisë në ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup, ndërsa posteri shoqërohet me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe thirrje për unitet dhe pjesëmarrje masive.
Reagimi i Ilir Shaqirit është parë nga shumë ndjekës si një mesazh për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe rëndësisë së gjuhës shqipe në çdo kohë dhe rrethanë.

