Gjukanoviç demaskon qëllimet e kishës serbe: Dëshiron ndryshimin e identitetit tonë

Presidenti malazes dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet (DPS), Milo Gjukanoviç, tha se tre koalicionet e opozitës po vepronin si një “këmbësori politike e nacionalizmit serbomadh në Mal të Zi”, me detyrë të kthenin vendin në të kaluarën.

“Së pari, ata ofruan të kthejnë Malin e Zi në rrethin e Serbisë së Madhe, dhe pastaj të largohen nga rruga evropiane dhe të kthehen nën ombrellën e interesave të Rusisë. Dhe tani duan t’i hapin rrugën Kishës Ortodokse Serbe (KOS), me dogmat e saj mesjetare. Unë nuk besoj këtë rrugë”, tha ai në një tubim zgjedhor në Tivat.

Ai shtoi se, sipas dokumenteve themelore që përcaktojnë rrjedhën e Kishës Ortodokse Serbe, ajo “duhet të mbrojë, afirmojë dhe të zhvillojë interesat kombëtare serbe”.

“Unë do e mirëkuptoja, por kur bëhet në territorin e shtetit të Serbisë. Sepse, kur jeni në Mal të Zi me këto ide, atëherë është e qartë që ju dëshironi të ndryshoni identitetin tonë. Ju dëshironi ta bëni Malin e Zi serb. Dhe peshkopët e bëjnë këtë me shumë zell. Deri dje, ata ishin pak a shumë të fshehur dhe tani ata punojnë hapur, të udhëhequr nga logjika – Ortodoksia, njësoj, Serbia,” tha Gjukanoviç.

Ai thotë se pret vetëm dy fjali nga drejtuesit e opozitës për vite me rradhë.

“Njëra është – ne e njohim vullnetin demokratik të qytetarëve të Malit të Zi në referendumi e vitin 2006. Tjetra është – ne njohim se cilat janë dokumentet strategjikë të Malit të Zi, për të ecur në rrugën e zhvillimit evropian”, deklaroi Gjukanoviç.