Gjykata i cakton një muaj paraburgim Gani Gecit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Gani Gecin, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Mehmetaj dyshohet se u kanos nga Geci për shkak të një postimi në Facebook për deputetin e Vetëvendosjes, Fatos Geci, i cili është nip i Gani Gecit.
Sipas Prokurorisë, Geci kishte shkuar në vendin e punës të gazetarit Mehmetaj dhe i kishte kërkuar atij ta fshijë këtë postim. Pas refuzimit të gazetarit, Geci e ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.

