Gjykata në Serbi ndalon shfaqen e filmit të regjisorit shqiptar

Gjykata e Lartë në Vranjë në Serbi ka ndaluar shfaqjen e filmit “I pabesi” të autorit shqiptar Gani Veseli, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Trupi gjykues ka vlerësuar se filmi “nxit diskriminim e urrejtje”.

Gjykata e Vranjës ka lejuar shfaqjen e filmit tjetër të Veselit, “Heshtja vret”, por me kusht që ndër të tjera të hiqen simbolet e Republikës së Kosovës nga pjesa hyrëse dhe përmbyllëse e filmit.

Producenti Veseli ka thënë se është i zhgënjyer me këtë vendim dhe se nuk do t’i heqë simbolet e Kosovës, pasi që Qeveria e Kosovës i ka financuar filmat.

Dy filmat e metrazhit të shkurtër të produksionit “Colosseum” nga Presheva, u gjetën në gjykatë pasi policia para premierës së tyre në Bujanoc në qershor, pranoi një raportim se këta filma “nxitin urrejtje dhe diskriminim”. Autorët e mohojnë këtë.

Publikut ende nuk i janë bërë të ditura të gjitha detajet e vendimit të Gjykatës së Lartë të Vranjës të marrë më 14 gusht..