Gjykata Speciale bastis banesën e Blerim Shalës
Gjykata Speciale është duke realizuar sot disa bastisje në Prishtinë. Përveç Bashkim Smakajt, ish shef i AKI-së, që ishte dikur edhe këshilltar i ish presidentit Thaçi, Sinjali mëson se edhe një tjetër këshilltar i tij ishte sot cak i Speciales.
Sipas informacioneve të Sinjalit, Specialja ka kryer kontroll edhe në shtëpinë e Blerim Shalës, i cili ka qenë pjesë e Zyrës së Presidentit, në cilësinë e këshilltarit politik të Hashim Thaçit.
Shala ka qenë nënkryetari i AAK-së dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, e më pas ka mbajtur postin e koordinatorit për bisedime me Serbinë, derisa u emërua këshilltar i ish presidentit.
Gjatë bastisjeve që janë kryer, të njëjtat burime thonë se janë sekuestruar prova të ndryshme, duke përfshirë dokumente dhe telefona.
Aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

