Gruaja që fitoi beteja të pamundura

Gazetarja kosovare, Remzi Zeka Sherifi e cila jeton në Skoci prej vitesh, ka botuar librin ‘Hije preapa diellit’, që është një autobiografi e gërshetuar  me fatin e kombit të saj.

‘Hije para diellit’ shpalos rrugëtimin e një mërgimtareje shqiptare, që njëherësh është fat edhe i mijëra shqiptarëve të tjerë nga Kosova, disa prej të cilëve vazhduan jetën në vendet mikpritëse e disa u rikthyen në hirin e luftës, për të rinisur jetën.

Remzija nuk harron ta balancojë krejt këtë ekzod shqiptar edhe me bamirësinë njerëzore, që ajo dhe të tjerët e gjetën në anën tjetër të botës.

‘Të shkruarit është magji, është sikur flet dhe rrëfehesh me dikend që i beson shumë. Të gjitha librat janë dialog, dialog me lexuesit ….E kur shkruan autobiografi të gërshetuar me ngjarjet historike e ekzodusin kombëtar, sërish i përjeton me ankth të gjitha peripetitë e jetës, ndodhitë që të kanë godit fort e kanë lënë vrragë të pashlyeshme…

Libri “Hije prapa diellit“ vë në spikamë tragjeditë e ngjarjet llahtare të luftës në Kosovë, është ftesë njerëzimit për të kuptuar arsyet e parreshtura të mërgimit e të çvendosjeve me forcë të shqiptarëve gjatë shekullit të fundit si dhe shpalos rrugëtimin tim, ndërtimin e jetës në mërgatë, e rrefime të refugjatëve të tjerë, balancuar me bamirësi njerëzore, kujdes e dashuri pa kushte…’, shkruan autorja.

Remzije Zeka Sherifi është sinonim i gruas së guximshme, që ka fituar beteja të vështira, madje edhe luftën me kancerin. Ajo ka mposhtur sfida dhe ka realizuar ëndrra të pamunduara. Remzija besoi te dielli i saj./Mediafokus.info