Gruaja që humbi jetën dje në aksidentin tragjik në Shqipëri, është doktoresha Maltina Ferati nga Tetova
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e djeshme në Xibër, pranë tunelit të Murrizit në Shqipëri, ku kanë humbur jetën dy persona, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Në mesin e viktimave është edhe 42-vjeçarja nga Tetova, doktoresha Maltina Ferati, e cila udhëtonte si pasagjere në njërin prej automjeteve të përfshira në aksident.
Viktima tjetër është identifikuar si Bledian Osmani, rreth 42 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:15, kur dy automjete janë përplasur në afërsi të tunelit të Murrizit.
Si pasojë, kanë humbur jetën dy persona, ndërsa pesë të tjerë janë transportuar në spital për kontroll dhe trajtim mjekësor, njofton TS.
Lajmi për vdekjen e doktoreshës Ferati ka tronditur edhe kolegët e saj në Tetovë.
Spitali Klinik i Tetovës ka publikuar një letër ngushëllimi, përmes së cilës ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e koleges së tyre.
Ferati ishte pjesë e rëndësishme e këtij institucioni shëndetësor, ku ushtronte detyrën e kryeshefes së Laboratorisë.

