Guri që rrotullohet prej 150 vitesh
Mullinjtë me ujë tashmë i takojnë në epoke të kaluar. Në ditët e sotme, rrallëkund dëgjohet çakallja e ndonjë mulliri që bën zhurmë duke shtyrë kokrrat e misrit drejt rrotës së gurtë, e cila sillet vërdallë me ndihmën e fuqisë së ujit, shkruan Mediafokus.info
Në të kaluarën, mullinjtë kanë pasur rëndësi të madhe për popullatën e trevave të Kosovës. Mullinj ka pasur edhe nëpër qytete, por më shpesh ata kanë ekzistuar në fshatra të largëta.
Mullinjtë, që zakonisht janë ndërtuar pranë lumenjve apo përroskave me prurje të përhershme uji gjatë pjesës më të madhe të vitit, kanë shërbyer edhe si vend për takimin e kaçakëve, si vendstrehim për kalimtarë dhe për fshatarët të cilët kanë ardhur nga larg të bluar drithin.
Në fshatin Okllap ka ekzistuar deri në vitin 1999, mulliri i epokës së Skënderbeut. Besohet se është ndërtuar në vitin 1426. Sherif Gashi, mullisi i fundit, thotë se nga paraardhësit ka dëgjuar që ky mulli nuk ka pushuar së bluari që nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e fundit në Kosovë (1999).
Mullinj të vjetër ka edhe në Kamenicës. Një i tillë ndodhet në fshatin Meshinë, i vjetër mbi 150 vjet. Mulliri është ndërtuar nga Sylejman Bojniku, i cili me dhunë ishte detyruar të shpërngulet nga tokat shqiptare në Nish të Serbisë dhe ishte vendosur me familje në fshatin Meshinë, me mbi 50 shtëpi.
Koha i “bluan” edhe mullinjtë
Nga viti 1965 mulliri bëhet pronë e familjes së Imer Krasniqit. Pos Meshinës, këtu kanë bluar drithin edhe 7-8 fshatra tjera. Ky mulli nuk ka qenë vetëm magje e bukës, po edhe një vend i kuvendimeve të patriotëve të mëdhenj të kësaj ane.
Gjatë luftës së fundit, mulli ka siguruar miell për popullatën e kësaj malësie dhe shumë fshatrave tjera, po edhe për luftëtarët e lirisë. Nuk ka këqyr kush po bluan apo kush nga është. Me rëndësi ka qenë që askush të mos vdes uri.
Mbase do të ishte e udhës që mulliri të merret nën përkujdesjen shtetërore, si vlerë të trashëgimisë kulturore, për shkak të historisë që ka ndër vite e shekuj.
Mullinjtë simbolikë e së kaluarës
Mullinjtë me ujë janë objekte që zanafillën e kanë shumë herët. Zakonisht janë ndërtuar pranë lumenjve apo përroskave me prurje të përhershme uji gjatë vitit.
Në të kaluarën, mullinjtë kanë pasur rëndësi të madhe dhe shumëdimensionale për popullin e trevave të Kosovës. Arkitekti Muhamed Sadriu nga Gjilani ka një dashuri të rrallë për këto objekte. Atij nuk i ka interesuar vetëm arkitektura e tyre, por edhe rëndësia dhe funksionalitet i tërësishëm i mullinjve të ujit gjatë epokave të kaluara.
Ai i ka vizituar të gjithë mullinjtë e vjetër në komunën e Gjilan si dhe vendet ku kanë ekzistuar ata. Komuna e Gjilanit ka pasur shumë mullinj, kryesisht pranë rrjedhave të lumenjve Morava, Llapushnica, Perlepnica, Zhegra e shumë të tjera.
Mullinj, disa sosh, ka pasur edhe në qytetin e sotëm, thotë Sadriu.
Si rajon bujqësor, Gjilani kishte nevojë edhe për mullinj, që në këtë anë të Kosovës, llogaritet se kanë qenë të shumtë. Vetëm lugina nga Stançiqët deri ne Zhegër i kishte mbi 20 mullinj, ndërsa përroska “Vrella e Pidiqëve” i ka pasur dikur 6 të tillë.
Sot, numri i mullinjve në Kosovë ka ngelur simbolik, thotë Sadriu./Mediafokus.info

