Çfarë karakteristika të përbashkëta kanë shtëpitë e vjetra të banimit në Anamoravë
Në regjionin e Gjilanit ruhen ende një numër i konsiderueshëm i shtëpive të vjetra, disa prej tyre mbi njëqind e më tepër vjet, përfshirë kulla, shtëpi-kulla, shtëpi banimi, oda si dhe komplekse arkitekturore.
Në të vërtetë, kulla të mirëfillta mund të quhen vetëm 3 prej tyre, njëra në Haxhaj të Gjilanit, tjetra në Zotaj të Shtimes dhe e treta në Mjak të Vitisë.
Objektet tjera shpërfaqin vetëm karaktere të fortesës, por nuk mund të quhen kulla. Shumica e tyre ndodhen kryesisht në fshatrat malore dhe rrallë ndonjë në zonat fushore, si shtëpia e Hasan Fazlisë në Koshare të Ferizajt, shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës, ose ndonjë tjetër.
Sipas zyrtarëve të Qendrës për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, të gjitha këto objekte banimi janë bërë nga mjeshtër vendës. Ka edhe raste kur mjeshtrit kanë qenë nga vende tjera, sidomos nga Dibra, të cilët kanë ndërtuar kryesisht me gurë, objekte të tipit kullë-shtëpi, siç është ajo e Hajdin Rrustemit në Terziaj, Fetah Kurexhës në Kurexhaj, Kadri Vehbi Zeqirit në Haxhaj e ndonjë tjetër.
Shtëpitë e banimit kanë ngjashmëri mes vete në shumë aspekte, në radhë të parë për materialin e përdorur për ndërtim, që zakonisht janë gurë, tulla, hatulla, çatme, thupra etj.
Kështu mund të thuhet edhe për shtëpitë e Malësisë së Gallapit. Shtëpia e Demush Ferizit, në Zhujë të Kamenicës, ka përdhesin të punuar nga gurët, kurse katin e parë, të punuar nga qerpiçët. Shtëpia e Hamdi Demollit në Krilevë, ka themelet dhe murin perëndimor të përdhesit prej gurësh, ndërsa muret tjera krejtësisht janë ndërtuar me hatulla horizontale dhe shtylla vertikale, duke u thurur me çatme dhe suvatuar me llaç balte.
Po në këtë mënyrë janë punuar edhe muret e katit të shtëpisë së Novobërdalive në Novobërdë, kryesisht nga shtyllat e drurit, breza druri horizontalë dhe çatma, suvatuar me llaç balte, përzier me byk kashte – një karakteristikë kjo për shtëpitë e Anamoravës.
Shtëpia e Hamdi Rashtit nga fshati Velegllavë, është ndërtuar kryesisht me gurë, hatulla dhe llaç prej balte, ndërsa vetëm oxhaqet e dy kthinave të përdhesit dhe atyre të dhomave të katit, janë prej qerpiçësh.
Një shtëpi tjetër në Leshtar të Kamenicës, ajo e Jusuf Ademit, sot pronë e Bekim Ademit, ka një arkitekturë popullore shqiptare që njëkohësisht lidhet me statusin e kryefamiljarit.
Në Malësinë e Karadakut, në fshatin Burincë është marrë në mbrojtje kompleksi i Lagjes së Zmokëve, një lagje banimi me shtëpi kryesisht prej guri, asnjëra prej të cilave nuk është më e re se 80 vjet. Por, shumica prej tyre janë shkatërruar. Në këtë lagje dallohen shtëpia e Ahmet Rexhepit dhe ajo e Shaban Rexhepit.
Në Artanë janë evidentuar dy shtëpi me karakteristika të veçanta. Shtëpia e Murtez Novobërdalisë ka rreth 150 vjet që është ndërtuar. Është një prej objekteve me një arkitekturë interesante popullore. Shtëpia ka përdhesin dhe katin. Përdhesi është ndërtuar nga gurët të lidhur me llaç balte, gjithashtu të suvatuar me llaç balte të përzier me byk kashte.
Shtëpia tjetër, ajo e Joviç Bllagojes (Makresh i Epërm) është e vjetër rreth 100 vjet, e ndërtuar me gurë e me tulla të kuqe, një karakteristikë e hasur rrallë.
Në të vërtetë, një shtëpi me katin prej tullash është ajo e Abdyl Cakollit në Krilevë. Në fshatin Puset e Nikës/Pustenik janë tri komplekse lagjesh me shtëpi kryesisht prej guri: lagjja Brava, lagjja Dacaj dhe ajo Bushët e Poshtëm.
Një karakteristikë e tyre, përpos gurit, është përdorimi më i shpeshtë i hatullave si element konstruktiv. Kështu mund të thuhet për shtëpinë e Brahim Bushit, e cila ka gjithsej 7 breza drurësh – hatullash. Karakteristike janë edhe shtëpia e Nazmi Bravës, Abedin Dacit dhe të tjera.
Kryesisht shtëpitë e banimit në kate kanë nga dy e tri dhoma, por ka të tilla që kanë edhe nga katra, e ndonjëra edhe pesë sosh, varësisht prej mundësive familjare. Disa nga shtëpitë kanë edhe hambarë të vendosur në kthina të ndryshme. Shtëpia e Demush Ferizit (Zhujë, Kamenicë) ka hambarin me gjashtë nënndarje në kthinën e përdhesit, ndërsa hambarë në korridor të katit, ka shtëpia e Hamdi Rashitit nga Velegllava, Ahmet Rexhepit nga Burinca, Fetah Kurexhës nga Terziaj e ndonjë tjetër.
Karakteristikë e përbashkët e këtyre objekteve, është vjetërsia e tyre, që rrallë shtrihet deri në 200 vjet./Mediafokus.info