Haj bela, dy Hysena me ni shpi me ni sofër

(Shkruar nga Hasan Bunjaku)

Baba Zenel nuk pat fat me gruan e parë: ajo ishte jetëshkurtër dhe së shpejti ndërroi jetë, e ai ngeli i vejë. Besa as Baci Ramiz nuk u rehatua me gra…
Baba Zenel, paksa më sersem e njeri që kërkonte bukur shumë “hyzmet” e mbase edhe “kajde”, andaj, shtrohej nevoja ndër Demirovitët, që sa më parë kudoqoftë e sadoqoftë kushtoftë e tërë ceremonia e rimartesës, t’i gjendet një grua.

Baci Ramë, besa dorën në zemër, kishte bukur shumë të njofshëm e vëllamë, nuk la kund “gur as dru pa lëvizur”, që ta gjente ndonjë mësit të mirë e një grua sojlike… Ndodhi si ndodhi, i kishte rënë në gjurmë një gruaje që pas pak kohe martesë kishte ngel e vejë sepse burrin ia kishin vra dikush në “n’niqah t’huj”, dhe burrat e gjinisë e kishin kthe në shtëpi. Ishte kjo bija e Zymerit t’Kurtoviqe, Krasniqë të Tyxhecit… Axha Ramë tashmë ia kishte gjetë mësitin e fortë, dhe pas këmbënguljes së tij, tuxhect pranuan. Kështu, djali më i madhi i Demirit, Zeneli, sërish u bë me grua. Në fakt kjo do të jetë Metihja, nëna ime e ardhshme, kund nja 25 vite më e re se Babai im.

Nejse, në ndërkohë, më 1929, lindi djali i parë nga kjo martesë, e të cilit, meqë aty kishte qëllue një mysafir, njëfarë Ibrahimi, dhe s’do mend, djali kishte “lind me emër të vetë” dhe e emruan Ibrahim. Pas disa muajsh, apo edhe ndonjë viti, prindërve Zenel e Metihe, iu bë që diçka djali po ju është si “zaif”, dhe baba, një ditë shkon për “qare” tek shehlerja e Tyrbës së Dazhnicës, e ajo me ato “munxat” e saja, gjoja e paska “gjetë” që djali nuk po përparonte shumë se “e kishte emnin dallash”: jo Brahim, tha, po po i bjen me e pasë emnin Hysen”! Babai u shqetësua dhe merakos shumë, dhe po i drejtohet Shehleres, që s’i bëhej fjala dy: “Aman, Shehlere, gjoja noj tjetër emën, se ni Hysen e kam n’oxhak…!” (familje), duke menduar për Hysenin, të vetmin djalë të Axhës Ramë.

“Jo, mozoallah, nuk ban hiç me e nd’rrue, se k’shtu po thojnë librat: ja k’shtu ja nryshe s’ban hiç. Bile, edhe naj djalë tjetër n’ta falt Zoti, nejse ngjitja ni emën sa mos me kanë hiç pa to, e bjerma mue e unë ia ngjes emnin, qysh t’thojnë librat!” – ia kthei Shehlerja Babës shkurt e trup.

“Ani, bre, ani, masi k’shtu po thojkan librat, veç ta dijsh qi hiç mirë nuk po m’vjen!” – pranoi baba…

“Haj, bela, dy Hysena me ni shpi, me ni sofër, kjo nuk ka ba vaki, po çka me bo… Na, që e kish dikush ni emën në katun, nuk ia ngjitnim f’mijës tonë, e kjo me ni sofër dy Hysena, haj moj bela…”, po meditonte babai, udhës për në shtëpi.

Nejse, gjatë rrugës, ashtu tek ecte kali në gallop, i lindi një ide, që iu duk shumë e qëlluar: “Po pra, kit Hysenin tem, do ta thrrasim HYS, e atë të Ramës, me emrin qysh e ka pes nidejma…” Kështu edhe ndodhi: vëllaun tim kush s’e quante ndryshe por vetëm si Hys…Ka lindur nëna ime edhe katër pesë fëmijë të tjerë, por ja që ishin ymërshkurtër dhe vdiqnin, mbase në mungesë të ndonjë injekcioni kundër temperaturës, vakcinave kundër fruthit, kollës së “keqe”, lijes së qenit e çfarë jo…

Demirovitët, pra ishin bukur “zilam” kah mashkujt: Zeneli (më vonë shumë kur linda edhe unë) dy djemë, Axha Ramë – një (Baci Hysen), e Baci Ramiz – po ashtu vetëm një djalë (Dema)….