Halil Matoshi – mysafir i ‘Vjeshtës letrare’ këtë të shtunë në Gjilan

Mysafir i edicionit të trembëdhjetë të manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, këtë të shtunë, më 3 dhjetor 2022, që mbahet në Bibliotekën e re të qytetit në Gjilan, do të jetë poeti Halil Matoshi.

SY QË KESHIN -I-

Janë Kodi i gëzimit
gjendje shpirti në festë

Pasqyra të nji bote ekstreme
për nga kërkimi
si ngjitja e nji mali
manifest opurtun estetik
me pa në nivel zemre

nji luftë mujnë me nalë
nji rrufe me zmbrapsë

Sytë që keshin e bâjnë Zotin
të dokshëm mbajtës shandani
fenomenologji shpirti.
Jo domosdo i përkasin njeriut!

Dëshmi se Zoti nuk âsht mizor
si në librat e shéjt’
as njeriu nuk âsht qenie e pabesë si në relata politike

Rrallë i zatetë njata sy
por kam pa n’ta tue u le
yllI i mjesit

Nji univers paralel

Manash delta loti
la me të artën p’ej tigri
thesarin gjithnji e rrethon misteri

T’bâjnë me u dorëzu

Sytë që keshin janë shteg
nepër të cilin i bien yjet
deri sa të shymën

Lëvizin planetet
dhe hiret e tyne!

Ose ma mirë me thânë
janë ciflat e shpërbamjës së Zotit siç e njeh Theologjia
kanë diçka nga zjarri
nashta janë shkëndijat
e mrame të djallit
para së me u përzanë
nga Parajsa

si munet me u gdhendë drita?
Më pyetshin lexuesit?

Njashtu si e keshmja.
Skalitet përsosmënisht.
Siç prehen diamantet.
Nuk munet me u luejt
në Theatër. Nuk ka maskë
që i fsheh. Janë të dokshëm
Zot.

munen me pasë të njâjtën origjinë me diamantet
Fishekzjarret mâ t’bukura
të mikrokozmosit
Grimca e Zotit. Tharmi dhe thelbi i hartës gjenetike
që kondenzon miliona vjet ekzistencë gjyshash t’gzuet.

ata ngjitën me shpirtin
nuk shpërbahen me trupin. Lëvizin nga ni njeri tek tjetri. Nga ni nânë e lumtun tek ni bijë. Nga ni babë frymëzues tek i biri.
Energeia aristoteliane.

Në botë mund të jenë vetëm
ni palë sy që keshin
e kudondodhën si holograme

Diftojnë rigjallnim
paraardhësish ose Daphne.
Ajo habitë me ngjyrat e saj maniret e hyjnishme aromat
Po plagët i ka monumentale
ma t’bukurat plagë
në letërsinë e përbotshme
mas themrës së Akilit

vdekja vjen pa pyetun
se ç’plagë mbanë në shtat
Bile me i pasë në zemër
Jo në thèmër!

SY QË KESHIN -II-

(Kinema Rinia dhe brezi ‘81)

deka na u ngjit me këmishën
u rritëm pa qenë kurrë fëmijë

me kanë të ri në kohë pushtimi
do me thanë caqe ideale për qitje

andrra të pakufi në hapësinë
t’rudhun
lajme të trishta

secila pramje në Prishtinë
ngjante në Natën e kristalt
pa dëshmi is qa
se nata nuk kishte vesh
as dita nuk kishte sy

asht skena e fundit e bukur
që kam pa në prag lufte deka
e Katharine Clifton
luejtun nga Kristin Scott Thomas a qaaa
në “The English Patient”

ajo shtyn dekën
për nji tjetër çast solemn
tue shkru me gjak frymën
që i sosej

E sytë i keshnin

saherë në tregime nji grue ik
nji burrë mbetët me vaj
si në kangën
Save Your Tears
të Ariana Grande

sa herë vdes nji grue
nji krue
shter

era shymë çiriun çepallat mbyll nata
e keshmja lëviz nga sytë e nji grueje t’lumtun
që sapo i buzëqesh dekës
ngjitët me ajrin e ndalet
në sytë e grave me fat

– The End –

MËSHTEKNAT E VENDLINDJES

Gra që mbijnë
në myjë e n’ashtin e nji nâne t’thyeme n’mes stuhie

balerina që luejnë me erën
tue i ba lisat me pa tej parzmoreve të xhamta

manekinet e pyllit

me sythat plagë thikash barijsh a ushtarësh
që zemra e emna kanë gdhend
në trupat e tyne t’njomë vishkuj

Më të bukurat e malit
t’thyeshmet si krande
t’kthyeshmet p’ej qielli

ftyrën më t’bardhë zhive
e flokët ngjy me kanë

UNË SHOH ME SYTË E NJI GRUEJE

Vizllima ishte në fillim

Masanej pashë me sytë e nji grueje
tek shtangën burra t’dheut para syve të saj

Pashë me sytë e saj
burra t’shtrimë ndër beteja
djem vramun e gjamë
që ta këputë shpirtin
si Ajkuna që qan Omerin
Viktimë e shumëfisht politike
Me i fitu zgjedhjet e radhës
në vilajetin gri
e vajtim i motrës Avdisë
vramun nga zilia e kojshisë

Dhe vajtimi i Rexhës
nga nji vrasës i panjohun për folklorin

por simas ritualit të dasmës shqiptare ai duhet të jetë
Rrëmbyesi i nusës!

Gratë dijnë çka fshihet mas çdo misteri e rrinë gojëkyçun
Vaje që jehojnë nepër kohë
Oi oi oi… unë e mjera

trishtim vetmie që shkrepë bubullimë e rèja ta vret lotin n’çerpik…

Shoh me sytë e nji grueje gruen
e Pikëllimës për syrgjyne matanë çdo ideje lumnie

gëzimin kur e fsheh shoh
me sytë e nji grueje t’përmbajtun
Kurrë nuk e ban t’dokshëm
rrallë qeshë nuk bërtet kur i vje

fëmijë tek rritën shoh
në mënyrën siç projektohen
në sytë e saj princa t’dhiem nër veti

Thmi me erë të mirë parajse

E shoh gruen tek ia zbret hanën fëmijës që s’e zën gjumi
e shoh me njimbëdhetë duer
për secilin thmi nga njâ!

Shoh tek i dhemb trupi
ni grueje
nga cikli e supet i krrusen
p’ej cicave t’mdha

Që e rrehin si thes boksi

Në sytë e nji grueje shoh merakun nji betejë epike
Si me u ba e pranueshme

E shoh dorën e nji grueje n’magje dhe nji bukë sa dielli
me ngi egoizmin e nji burri

Errje mendje e trup mavi
në të cilin janë shenjue me mllef kufijt e pronës
nga robi zotnue

vetmi grashë âsht legjendare
me sytë e tyne shoh
tue u shymun pa gjimue
Nji grue

Me ba me folë ato???
dasmorët e tana dasmave ballkanike bahen varrmihësa!?

GARA ANTIKE

Ti qindron para meje e qetë
si gjithnji unë
i ndrojtun si me faj

Ky asht çasti
i të vërtetës mendoj
gjyqtarë t’thinjun të tejkohshëm tërhiqen me marr nji vendim

trupi gjykues vonon
sytë të ndrisin më fort

Rri shtangun
si ni revolucionar
pak patetik pres miratimin tand
të ndëshkimit tim
si para atij çastit
kur kryegjyqtari
ka me rreh tavolinën më çekiq

jam n’tetik
më dridhet zani
siç vepron secili kampion në çastin
mes vajit dhe brimës ngadhnjyese

Mes ankthit dhe lumnimit
Çekiqi. Ai bjen braaam!

Dora ime mbi tandën
kish rrëshqitun si në gjykatore tamam tue prit verdiktin

Ose vlerësimin
nga nji në dhetë
në garën antike pa fitues

Mbajma dorën. Po më dridhen gjujtë

Tashma roja më del përpara
me do çelësa të mdhaj
si pikëpyetje
po mbyllte gjykatorën

E verdikti?

Ai s’ka me u dhanë kurrë
Dashunia nuk asht gjykim racional
asht ana e ndritshme
e çmendjës!

ME TA (K)THY MENDJËN

(Mas lutjeve për ty Daphne, ta nisa ni e-moji në chat)

Sonte për ty dashta me shkru
fjalë t’zgjedhuna s’po më vijnë
muzat kërkah
ama me çdo kusht po du diqysh
më ta tërheq vëmendjën

të kujtohet kur i bijshim ziles
së fqijve n’mahallë e disa ikshin

E bash ai qe i binte ziles qindronte para dere si hu
cool demek nuk isha unë
me dëshmu

unë jam ky që po shkruej
po du me t’thanë unë jam ai
që ka me i ra gjithni asaj zilje
t’femijnisë

deri sa ti ki me u shfaq në derë
E ndrojtun me faqe t’skuquna
kemi me depërtu trupave
të tejdokshëm të njani tjetrit

n’fëmijni me u kthy e me u rritë
edhe ni herë në ni andërr të bukur

siç depërtojshim trupave
të njerëzëve të huej
fëmijë kur ishim e hile bajshim
se dojshim me mbrri të parët
në akëcilën ândërr!

DASHUNI ME BA

Me ba dashuni
askush s’e thotë
si me qenë ni komplot

si me ngreh ni pritë
me ngritë revolucion

S’kam asgja ma t’shejt
me t’dhanë Daphne
pos me t’i dorëzu çelësat
e qytetit-kështjellës sème marue p’ej magmës
së shpërthimit të madh kozmik

I cytun dashunie
nga i cili ka mbetë sall çasti
p’ej epokës kur ishim dritë

dashni me çue âsht ekspozim
trupash çpluet shpërthim fishekzjarresh në nji qiell
që hapet

Kozmosi zgjanohet në skajet e veta
tue lindun galaktika të reja supernova
yjet dyfishohen kur duhemi na
bahemi kometa

E s’flitet për tê
thue se âsht akt pabesie
Ndaj Zotit

————-

Shënime për autorin

Halil Matoshi (1961) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare.

Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Ka një master në gazetari.

Ka punu gazetar, redaktor, kryeredaktor dhe kolumnist i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Express”, “Koha Ditore”.
Tre herë i shpallun gazetari ma i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004; Katër herë i arrestuem nga regjimi serbian.

Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe asht mbajtun për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Pozharevc (Serbi).

Është autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021); Poezi të tij janë përkthye në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht…