Hamiti: Kurti me VV-në po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që kanë ndërtuar Rugova dhe të tjerët

Zyrtari i lartë i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se Albin Kurti po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që është ndërtuar për vite të tera.

Ai ka bërë me dije se ajo tani po rrënohet ajo që është ndërtuar me vite nga ish-presidenti Ibraim Rugova dhe liderët tjerët politik që erdhën në pushtet pas tij.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ia ka numëruar dëmet që VV-ja ia ka sjell Kosovës.

“Albin Kurti me Vetëvendosjen e vet (VV) po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që e ka ndërtuar Kosova me Presidentin Ibrahim Rugova dhe të tjerët që erdhën në pushtet pas tij, para dhe pas pavarësimit të Kosovës. VV-ja e Albin Kurtit e quante Ibrahim Rugovën kolaboracionist të Serbisë në ditën kur Presidenti i parë i Kosovës u varros me nderime të larta nga qindra mijëra shqiptarë dhe miq nga mbarë bota. VV-ja nuk festoi kur Kosova e shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Kurti, Konjufca, Haxhiu e të tjerë, aktualisht deputetë që ushtrojnë pushtet ekzekutiv në këtë shtet në emër të VV-së, nuk shihnin arsye pse të festohej shteti. Pushtetin e deshën dhe ia dolën ta marrin më në fund dhe ta ruajnë, tash me shkelje kushtetuese serike dhe me nëpërkëmbje të rendit demokratik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Shteti i Kosovës është paralizuar”, ka shkruar ai.