Hamza akuzon Kurtin për dërgimin e Njësisë Speciale në Drenicë: “Ndalu, Albin”
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Drenicë, ku Policia e Kosovës dërgoi njësi speciale në Skenderaj.
Hamza ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke e akuzuar për demonstrim force dhe përdorim të institucioneve shtetërore për interesa partiake.
“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force”, ka deklaruar Hamza.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të ndalë, siç tha, propagandën, urrejtjen dhe provokimet politike.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, ka theksuar kreu i PDK-së.
Në fund, Hamza u ka bërë thirrje qytetarëve dhe votuesve të PDK-së që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen tek zgjedhjet e 7 qershorit.
“Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.”

