Hapen kutitë e dyshimta të votimit në Gjakovë, s’ka detaje rreth hetimeve për manipulim

Gjatë hapjes së kutive të një Qendre Votimi në Gjakovë, sot është dashur të jetë e pranishme edhe Policia e Kosovës. Kjo pasi ekzistojnë dyshime për manipulim të mundshëm të votave. Prokuroria e ka konfirmuar rastin, ndërsa Policia e Gjakovës nuk ka dhënë detaje.

Kutitë e një qendre votimi në Gjakovë janë hapur të shtunën për numërim me prezencën e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, pas dyshimeve për manipulim të votave.

Pretendime janë ngritur për dy qendra votimi, por sot u hapën kutitë e votimit të njërës prej tyre.
“Policia dhe Prokuroria e Gjakovës kanë kryer ekzaminime në votat e një qendre të votimit, specifikisht të shkollës “Zekirja Rexha”.

Këtë televizionit Dukagjini ia ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, duke mos dhënë shumë detaje.

Por, nuk dihet se çfarë ka sjellë numërimi i këtyre votave, konfirmimin e pretendimeve apo kjo pasi as Policia nuk ka dhënë detaje, duke rekomanduar t’i drejtohemi Prokurorisë.

“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë duke u ndërmarrë veprime hetimore të cilat ndërlidhen me procesin zgjedhor në Gjakovë. Për detaje, ju lutem të kontaktoni Prokurorinë Themelore në Gjakovë”, ka njoftuar Policia Rajonale e Gjakovës.

Kurse edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar që të kontaktohet Prokuroria.

Pavarësisht kësaj, gjatë të shtunës në Qendrën Komunale të numërimit të votave me Komunën e Gjakovës ka vazhduar numërimi i votave të 9 shkurtit dhe deri në ora 16:00 kanë arritur të numërohen 65 kuti të votimit.