Harta e coronavirusit në Gjilan, kur dhe si nisi?

Gjilani e ka shënuar rastin e parë me Covid-19 më 21 mars. Tashmë, kjo komunë ka të konfirmuara zyrtarisht 27 raste. Njëri rezultoi me fatalitet. 17 janë shëruar plotësisht, derisa dhjetë po trajtohen pa simptoma të rënda. Mediafokus.info e sjell kronologjinë e prejardhjes se Coronavirusit dhe hartën e shpërndarjes.

Nga erdhi virusi Corona?

Sipas statistikave zyrtare, virusin Corona e solli e bija e familjes Shaqiri, e cila kishte ardhur Gjermania në vizitë te prindërit, në Vrapҫiq.

Brenda tre ditësh, nga dy familjet që kishte pasur kontakt bashkatdhetarja, numri i të infektuarve shkoi në 14, njëri prej të cilëve rezultoi me fatalitet.

Virusi Corona u shtri menjëherë edhe në Zhegër dhe 21 vjecari nuk dihet se nga e mori. Këto dy fshatra u futën menjëherë në karantinë, ndërkohë që në Vrapqiq po vazhdohet me të njejtat masa, shkruan Mediafokus.info.

Dy rastet e reja nga Gjilani u konfirmuan më 3 dhe 4 prill, por që nuk kanë ardhur në Gjilan, meqë kishin ardhur nga Zvicra dhe janë trajtuar menjëherë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Më 6 prill është prekur edhe lagjja Deremahallë. Dy familjarët janë trajtuar dhe shtëpia e tyre është vendosur në karantinë.

Infeksioni që rezultoi me fatalitet

Infeksionit me Coronavirus nuk ka mundur t’i mbijetojë 72 vjecari në Vrapciqi, i cili ndërroi jetë në Klinikën Infektive në Prishinë.

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së sonte në orët e mbrëmjes, në Njësinë e Kujdesit Intensiv të kësaj klinike, ka vdekur pacienti Z.I, i lindur më 1948 nga komuna e Gjilanit, i diagnostikuar me COVID 19. Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive me datën 31.03.2020 në gjendje të rëndë dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, ka qenë njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Më 12 prill, një banor i Rrugës së Prishtinës rezultoi pozitiv, ndërkaq në po të njejtën ditë është prekur edhe fshati Lladovë, ku deri sot pesë persona rezultojnë positive me COVID-19.

Harta e coronavirusit në Gjilan, nga mbrëmja e së enjtes është shtrirë edhe në lagjen Arbëria dhe në fshatin Malishevë e Epërme.

I infektuari nga lagjja Arbëria dyshohet se virusin e mori pas kontakteve familjare në fshatin Hodonoc të Kamenicës, ndërkaq per raste e Malishevës së Epërme akoma nuk dihet saktë burimi i inkeksionit.

Nga thyerja e rregullit të karantinës infektohen pesë persona

Portali Mediafokus.info nga burimet e tij, merr vesh se pesë raste janë infektuar pasi njëri nga të infektuarit me Covid-19 ka thyer rregullat e karantinës, duke e bartur virusin nga Topanica e Kamenicës në Gjilan.

Pavarësisht thirrjeve të të gjitha institucioneve të vendit për kujdes maksimal dhe paralajmërimeve për dënimet e ashpra, duket se për dikë edhe nuk vlejnë këto.

Dënimet për atë që nuk i përmbahet rregullave kundër përhapjes së Covid-19 mund të rezultojnë edhe me vepër penale, e dënueshme deri në dy vjet burgim.

Shtabi Emergjent i Gjilanit vlerësohet model i mobilizimit

Me identifikimin e rasteve të kontakteve eventuale si preventivë kundë përhapjes së Coronvirusit po merret Qendra Operative Emergjente dhe Komiteti për Emergjenca, dy organe këto të themeluara me vendim të kryetarit të kësaj komune, Lutfi Haziri.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publkie, Izet Azizi, janë shprehur të impresionuar me funksionalizimin dhe efektivitetin e këtyre organe, duke e vlerësuar si modelin më të mirë në nivel të Republikës.

Komiteti Emergjent i Gjilanit, përpos përfaqësuesve të nivelit lokal, ka përfshirë edhe Policinë e Kosovës, shëndetësinë primare, Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe Spitalin e Përgjithshëm./Mediafokus.info/