Hasani për “Draftin” për Asociacionin: I njëjtë me Kushtetutën e “Srpskas” në Bosnjë

Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka thënë se “Drafti” gjerman për Asociacionin i cili ka rrjedhur në media ditë më parë, është i njëjtë me Kushtetutën e “Republika Srpska” në Bosnjë e Hercegovinë.

Hasani ka thënë se më shumë se 80 për qind e draftit është i ngjashëm me atë Kushtetutë.

“Drafti që është i besueshëm, po të analizohet dhe shikohet me Kushtetutën e Republika Srpska dhe heqja ushtrinë dhe çështjet që kanë të bëjnë me ushtrinë, 80 për qind edhe më shumë është e njëjtë me Kushtetutën e Republika ‘Srspka’ në Bosnjë. Këtu ka dy probleme. Në pjesën e përgjithshme, për të qenë ashtu siç po na thonë duhet të thonë neni 1: Asociacioni i komunave me shumicë është asociacion i cili ka për qëllim koordinimin e punëve të komunave-nuk ka autorizime nga e drejta publike, konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai siç është nuk mund të akomodohet brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në publik garancionet që jepen, thotë nuk preket sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial. Kjo nuk mjafton, sepse ky draft, sovranitetin dhe integritetin se prek formalisht. Por ti mund të jesh sovran dhe të mos jesh i pavarur. Vendet baltike kanë qenë vende sovrane, Polonia ka qenë e tillë, Bosnja ka qenë ashtu gjatë luftës por s’ka qenë e pavarur në ushtrimin e juridiksionit”, ka sqaruar Hasani të enjten në “Desku” të KTV-së.

Sipas tij, gabimin më të madh të gjitha qeveritë e kaluara e kanë bërë që s’kanë zhvilluar debat publik për Asociacionin.

“E para, shteti i Kosovës me të e humb karakterin e vet unitar. E dyta, asnjë punë më serbët lokalë me qeverinë qendrore – pushtet qendror nuk e kanë. Shtetësinë e kanë të Serbisë dhe këto të tjerat janë të integruara aty në mënyrë graduale. Mosdefinimi i Asociacionit në marrëveshje të Brukselit, lë të kuptohet se ka një synim permanent që të krijohet një strukturë e ndarë tërësisht prej pushtetit qendror. Asociacioni është autonomi regjionale pa asnjë dyshim. Sepse selia thotë përcaktohet më vonë. Por më pas nuk është me rëndësi selia se ku është”, ka thënë Hasani.