Shqiptarët e kanë drejtuar botën dikur, thotë ky historian i huaj

Aleksandre Lambert, historian, drejtor akademik i “School of International Training” në Gjenevë, autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake, njohës i mirë i çështjes shqiptare, këmbëngul se nuk është e rastit që shqiptarët në asnjë moment të historisë nuk kanë sulmuar kombet tjera dhe se shumë shqiptarë kanë shkëlqyer duke drejtuar qoftë perandori, qoftë shtete të tjera.

Po kështu, sipas tij, të tjerë shqiptarë kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në shtete të ndryshme të botës. Më tej historiani ndalet në zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur bindjen se ajo që ndodhi me Shqipërinë, me lënien e saj në Bllokun e Lindjes ishte një llogari e bërë nga aleatët që fituan luftën.

Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqës botës, udhëheqës laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë, për shembull – Klementi XI më i dalluari prej tyre. Por shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse, ashtu edhe të asaj myslimane.

Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike.

Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane.

Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke, prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina. Që ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.

Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare (Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria). Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare.

Piktorë si Carpaçi, Albani etj, humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut dhe shumë personalitete shqiptare, janë nderuar nga historia e Italisë. Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napoleon i Lindjes së Afërt” qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.

Arkitekti i “Taxhmahallit” në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu sikurse edhe “Xhamia Blu” e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit.

Dhe më në fund Heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires.

Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj. Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë, përkundrazi shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet?

Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878).

Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke, shtypi ndërkombëtar filloi për të injoruar shqiptarët duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirët, shqiptarët.

E pagëzuan me emrin Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore evropiane ka përdorur termin “turq” për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve.

Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare. /Njëshi/