Hasani: Qeveria nuk mund ta dërgojë aktgjykimin e Supremes në Kushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani e ka cilësuar ‘absurd’ dhe ‘të pavend’ reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme, sipas të cilit kryeministri në detyrë dhe ministrat të cilët janë certifikuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive.
Hasani tha të premten në një intervistë për KosovaPress se çështja e qeverisë në detyrë ka qenë “e qartë si loti” që nga 24 marsi, kur shumica e kabinetit qeveritar u certifikuan si deputetë.
“Ju e dini që unë kam qenë ndër të parët që kam thënë se ajo që po ndodh është uzurpim i pushtetit. Me uzurpim nënkuptohet, në terminologjinë profesionale, çdo ushtrim pa bazë juridike i një autoriteti publik. Unë e kam pasur të qartë këtë çështje sikurse loti, që nga fillimi”, tha ai.
Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Hasani e vlerësoi si profesional.

