Hasani: VV po abuzon, deputetët që nuk e zbatojnë aktgjykimin do duhej të decertifikoheshin

Ish- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar rreth vazhdimit të seancës konstituive, të parës pas shpalljes së aktgjykimit.

Kryesuesi nga radhët e VV’së Avni Dehari duke i çuar në vend porositë e Kurtit, përsëri tentoi ta çojë përpara atë për të cilën rasti shkoi në Gjykatë – hodhi në votim  komisionin për votim të fshehtë.

Sipas Hasanit, sjellja shpërfillëse ndaj aktgjykimit të Kushtetueses ndodhë pasi nuk ka sanksion të qartë për moszbatim.

Duke komentuar pretendimet e VV’së  se Gjykata  ka “lejuar” votimin e fshehtë duke iu referuar aktgjykimit të vitit 2014, Hasani thotë se referimi i tillë është abuziv.

“Gjykata ka theksuar se format dhe modalitetet e votimit janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

“Për seancën konstituive nuk parashihet një gjë tillë. Kjo është e qartë si drita e diellir, siç thotë populli”, ka thënë ai.

Sipas Hasanit, po të caktonte Gjykata  ndonjë sanksion – decertifikimin e deputetëve- situata do të ishte ndryshe.

Hasani duke e vlerësuar tekstin e aktgjykimit konstaton se ai është “i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.