Haziri: Në qeverinë LDK-LVV nuk do të ketë ‘bomba të kurdisura’

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kërkuar durim sa i përket formimit të qeverisë së re, e cila sipas tij do të jetë LDK-LVV.

“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK’së dhe LVV’së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim. Kjo ka me qenë marrëveshje përtej një mandati. Mos të nxirret krejt puna jonë në konspiracion politik”, ka thënë Haziri për RTK’në, transmeton MediaFokus.

I pyetur se a është e vërtetë që po përfolet emrit i tij për pozitën e presidentit të Republikës, Haziri e ka mohuar kategorikisht.

“Në asnjë mënyrë. Nuk ka të bëj me emrat e përveçëm. Ka të bëjë me qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’, tha Haziri./MediaFokus/