Haxhiu kërkon mekanizëm për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë.
Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për rezistencën që hasën për të jetësuar reformat në sistemin e drejtësisë, synimet edhe për një mandat qeverisës dhe nevojën për shpalljen e konkursit të ri për kryeprokurorin e shtetit.
E para e drejtësisë në vend thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.
“Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës…
Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues mendoj se duhet ta diskutojmë sërish. Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera dhe rrethanat tjera që lidhen me punën e gjykatës. Mendoj se institucionet, të cilat nuk kanë mbikëqyrje nga askush, mendoj se është shumë problem…Është e paprecedent mënyra se si është themeluar, është e paprecedent mënyra se si nuk i jep llogari askujt. Prandaj, natyrisht që duhet Kuvendi i Republikës së Kosovës ta gjejë, megjithatë mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por të paktën ta kem një mekanizëm që e ka përsipër këtë“, theksoi ajo.

