Haziri: Befasia e 2 korrikut, është institucionalizimi i manifestimit kombëtar Flaka e Janarit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila ka konfirmuar mbështetjen për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, investimet në stadiumin e qytetit, renovim të palestrës së sporteve, dy fusha të tenisit këtë vit dhe dy në vitin e ardhshëm, sikurse edhe projekte për rini dhe trashigimi kulturore.

Ndërkohe, sot në Gjilan ka nisur edhe projekti tjetër i stadiumit ndihmës, gurthemelin e të cilit e kanë vënë kryetari Haziri dhe ministrja Dumoshi, i cili do të shfrytëzohet për stërvitje dhe lojëra për grupmosha të reja, duke krijuar kështu hapësirë për talentet e rinj në standarde moderne.

Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar ministren për mbështetjen e Gjilanit në kulturë, sport dhe rini, duke potencuar se këto prioritete dhe ky investim po vjen në kohën kur Gjilani është në proces të ndërtimit të infrastrukturës publike dhe zhvillimit të sektorit privat të ndërtimit.

“Befasia e 2 korrikut është institucionalizimi i Flakës së Janarit dhe kështu po merr karakter të fuqishëm kombëtar dhe përkujdesje të nivelit qendror. Kemi vizituar stadiumin e qytetit i cili është i nivelit të katërt për zhvillim të lojërave ndërkombëtare në bazë të kritereve të UEFA dhe kemi vënë gurthemelin e stadiumit ndihmës i cili do të shërbejë për stërvitje dhe gara për grupmoshat e reja. Gjilani, si qytet i kulturës, dëshmon se është edhe qytet i sportit dhe i rinisë me investimet që do të bëhen. Së bashku tashmë e kemi zgjidhur problemin e statusit të Teatrit të Qytetit dhe pagat e aktorëve. Është fat i madh për Gjilanin, klubet sportive, tifozerinë dhe talentet që kemi një mbështetje të konfirmuar nga ministrja Dumoshi”, ka thënë Haziri.

Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se vizita në një Komunë të madhe që jep shumë gjenerata të reja, energji, talentë të veçantë në kulturë, rini dhe sport është një tërheqje edhe për investime dhe mbështetje në të gjithë sektorët.

“Memorandumi për “Flakën e Janarit” është një mbështetje në shenjë falënderimi për vlerat kulturore e kombëtare që kanë dalë nga ky manifestim ndër vite. Gjilani krenohet me artistët, sportistët, letrarët, rininë dhe talentë të shumtë në sportet individuale. Ekipet sportive Gjilani dhe Drita janë krenari e juaja dhe e të gjithë neve për derbin që ofrojnë për publikun, prandaj këto investime janë për sportistët, artistët, letrarët dhe rininë në përgjithësi, që ky shembull të ndjeket edhe nga të tjerët dhe të zhvillohet edhe më shumë”, tha Dumoshi gjatë vizitës në Gjilan.

Përndryshe, Vlora Dumoshi ka konfirmuar mbështetje konkrete me 20 mijë euro për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, pastaj stadiumin e qytetit që kap vlerën totale të investimeve 9 milionë euro, investime tjera në bashkëpunim me Komunën dhe Ministrinë janë palestra në Zhegër në vlerë mbi 2 milionë euro, dy fusha të tenisit që do të ndërtohen këtë vit, në vlerë prej 70 mijë euro, për renovimin e palestrës së sporteve “Bashkim Selishta” 400 mijë euro dhe për stasiumin ndihmës – 550 mijë euro.