Haziri flet për LDK-në dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë në kuadër të Dhomave të Specializuara.
Sipas Hazirit, për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi.
“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës. Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe”, ka thënë Haziri.
Më tutje Haziri ka kërkuar drejtësi për eksponentët e LDK-së.
“Kjo zhurmë politke dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fill;imit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së.LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët”, ka thënë Haziri.
Që nga dita e nesërme pritet të nis dëgjimi i dëshmitarëve lidhur me rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është bërë publik kalendari i seancave që pritet të nis që nesër nga ora 09:00.
Seanca të tilla pritet të ketë më 11, 12 dhe 13 prill, transmeton lajmi.net.
Po ashtu në bazë të kalendarit të publikuar bëhet e ditur se seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.
Theksojmë se më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.
Ish-krerët e UÇK-së para anëtareve të trupit gjykues janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.