Haziri: KBI dhe imamët e Gjilanit kanë dëshmuar vendosmëri në luftimin e Covid-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar mbrëmë Këshillin e Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive të Gjilanit, me qëllim koordinimi për vazhdimin e zbatimit të masave mbrojtëse për parandalim të pandemisë globale deri në normalizim e plotë të gjendjes.

Kryetari Haziri ka falënderuar Bashkësinë Islame në Gjilan për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në Komitetin për menaxhimin e emergjencave si dhe angazhimin e madh të të gjithë imamëve në bartjen e mesazhit për kujdes dhe respektim të vendimeve për parandalim të pandemisë në institucionet fetare.

“Angazhimi i përbashkët për përballje ndaj pandemisë ka qenë më i lehtë në kontributin që ka dhënë Këshilli i Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive, e sidomos gjatë riteve fetare në Xhami. Përdorimi i masave mbrojtëse është domosdoshmëri për shëndetin publik dhe ky mesazh është bartur çdo ditë. Është fat i madh që xhamitë nuk kanë qenë burim i infeksionit dhe duhet edhe më tutje të kemi kujdesin maksimal dhe të apelojmë te qytetarët për përmbajtje të rregullave dhe rekomandimeve që i jep Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës deri sa të shërohet edhe rasti i fundit”, ka thënë Haziri.

Haziri ka potencuar se bashkëpunimi edhe me komunitetet tjera fetare është në nivelin e duhur, me qëllim të redukimit të rasteve për aq sa është e mundur.

Kryetari i Këshillit të Bashkesisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin maksimal që ka dhënë Komuna në përballjen e pandemisë dhe menaxhimin e vështirë të gjendjes, duke u zotuar se parandalimi është detyrë e të gjithëve pavarësisht në cilën përgjegjësi dhe detyrë ndodhet.

Aliu ka konfirmuar angazhimin e mëtutjeshëm të të gjithë imamëve për respektimin e vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve të shtetit për të mirën e përgjithshme dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Ai ka bërë të ditur se nëpër të gjitha institucionet fetare islame e me theks të veçantë nëpër xhami çdo ditë to të bartet apeli për kujdes, përdorim të masave mbrojtëse dhe respektim të distancës.​

Për ndryshe, kryetari Haziri ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të organizohen takime edhe me këshillat e fshatrave dhe lagjeve në mënyrë që së bashku të organizohet përballje e sigurtë me pandeminë e cila fatkeqësisht po merr jetë të qytetarëve dhe njëkohësisht po e ndal zhvillimin e vendit.