Haziri: Koordinimi i kryetarëve të regjionit të lindjes ka bërë që të parandalohet përhapja e Covid-19 

Kryetarët e Regjionit të Lindjes, janë takuar sot në Gjilan dhe temë e diskutimit ishin dy çështje kryesore të interesit të përbashkët, masat dhe koordinimi i plotë për parandalimin e pandemisë Covid-19 dhe çështja e dytë miratimi i raportit të AZHR-Lindje për vitin 2019.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, si organizator i këtij takimi, ka thënë se kryetarët e Komunave ishin vija e parë e koordinimit dhe angazhimit maksimal në parandalim dhe mobilizim kundër koronavirusit.

“Jemi regjioni me koordinimin më të mirë në luftën kundër pandemisë globale Covid-19. Që nga Kamenica në njërën anë e deri në Komunën e Shtërpcës në anën tjetër, duke përfshirë edhe të gjitha komunat tjera, kemi arritur bashkëpunimin dhe involvimin e të gjitha institucioneve lokale e regjionale në parandalim të virusit. Në këtë periudhë kohore në vazhdimësi kishim një bashkëpunim të mirë ndërkomunal dhe së bashku kemi bërë që burimet e infeksionit të jenë sa më të vogëla dhe rastet tragjike të jenë minimale, me infeksion gjithnjë në rënie”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka thënë se me koordinimin e përbashkët është mundësuar që të mos kemi bartje të infeksionit nga një komunë në tjetërën edhe përkundër lidhjeve familjare që si regjion është i pandashëm.

Haziri ka potencuar se në këtë fazë të përballjes me pandeminë, AZHR-Lindje ka menaxhuar me një staf të limituar, mirëpo është konfirmim sipas tij i kryetarëve të regjionit që ta mbajnë agjensionin, si mekanizëm për zhvillim regjional.

“AZHR-Lindje është mekanizëm i cili ka impakt të drejtëpërdrejt në zhvillimin regjional dhe është zotim i kryetarëve të Komunave që të jenë aktiv dhe mbështetës, sepse kështu është një lidhje e direkte mes orientimit të fondeve qeveritare por edhe bashkëpunimin me donatorët dhe investitorët e shumtë të fondeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Në fjalën e tij Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, tha se ky është një regjion kompakt dhe i koordinuar në vazhdimësi si para, gjatë dhe pas pandemisë, duke qenë unik dhe solidar me njëri-tjetrin.

“Jemi duke iu kthyer normalitetit gradualisht, që në të njejtën kohë shtohen edhe nevojat. Ne shpresojmë shumë që qeveria qendrore do ti marrë për bazë kërkesat tona, për ti mbuluar deficitet financiare. Jeta zhvillohet nëpër Komuna dhe ne jemi obligues karshi qytetarëve që ti kryejmë nevojat dhe onligimet që kemi në rrafshin e investimeve dhe zhvillimit në përgjithësi”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Qendron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës ka thënë se institucionet në nivelin lokal janë duke e bërë të pamundurën me kapacitetet që i kanë, por ka bërë thirrje te qytetarët dhe komuniteti i biznesit që të jenë më vigjilent dhe të përdorin në vazhdimësi masat mbrojtëse në përballejn me pandeminë globale si domosdoshmëri dhe njëkohësisht ka potencuar se respektimi i rekomandimeve profesionale të institucioneve të shtetit është krucial.

Svetislav Ivanovic, kryetar i Novobërdës ka falënderuar angazhimin që është bërë në nivel të regjionit të lindjes për të tejkaluar fazën e vështirë siç e ka quajtur ai, të përballjes me pandeminë globale derisa ka ofruar bashkëpunimin e tij të plotë në zhvillimin e regjionit dhe normalizimin e jetës në përgjithësi.

E Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, ka spikatur vështirësitë që kishin si Komunë e vogël në menagjimin e situatës në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut me staf të vogël të shëndetësisë primare, derisa ka falënderuar Komunat të cilat kanë asistuar me personel shëndetësorë. /Mediafokus.info/