Haziri: Lajm i mirë, 19 pacientë të shëruar plotësisht dhe vetëm 9 raste pozitive

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se në bazë të statistikave, ka vazhdimisht rënie të rasteve pozitive me COVID-19 në Gjilan.

“Pavarësisht lajmeve të mira sa i përket gjendjes me COVID 19, edhe më tutje kërkohet që masat mbrojtëse të respektohen maksimalisht dhe infektimin me virus ta ulim deri në pikën zero. Kjo nuk është e lehtë, sepse mjekët dhe policia janë duke punuar me një orar të zgjatur dhe me lodhje të madhe, por është e mundur me respektim strikt të masave mbrojtëse. Ditën e djeshme kishim vetëm një rast pozitiv, sot në ditën e 179 kemi 19 raste të shëruara plotësisht dhe po punojmë të gjithë së bashku edhe me kulturën dhe lojalitetin qytetarë, që raste pozitive të mos kemi fare në Gjilan”, ka thënë ai.

Në bazë të statistikave që ka bërë publike Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmojnë se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, nga data 13 mars e deri më sot në ditën e 179, ka gjithsej 908 raste pozitive, prej tyre, të shëruar plotësisht janë 737 pacientë, 39 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 132, prej tyre 35 të spitalizuar.

Apeli i përbashkët dhe i vazhdueshëm nga Gjilani është respektimi i rekomandimeve të institucioneve shtetërore e shëndetësore, përdorimi i masave mbrojtëse, maskave, dezinfektuesve dhe mbajtjes së distances, si e vetmja mënyrë e luftimit të virusit.