Haziri: LDK do të garojë në zgjedhje me emra kredibilë

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë, ku nuk ka mohuar se janë në bisedime me partitë tjera sa i përket koalicioneve të mundshme.

Haziri tha se LDK-ja në këto zgjedhje do të garojë me emra kredibilë dhe që përfaqësojnë ideologjinë e kësaj partie.

“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim t’i përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK-së me u zbardh. Kanë me qenë emra kredibil, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK-së, duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë “, ka deklaruar ai.

Nënkryetari e pranoi se LDK-ja është duke biseduar edhe me parti të tjera për koalicione, teksa shtoi se kjo çështje do të finalizohet javën e ardhshme.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë. Janë në bisedime. Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua t’i diskutoj më shumë, por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicione me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë Haziri.