Haziri: LDK-ja mund ta përkrahë Ligjin për Specialen nëse gjatë procesit konsultohet edhe BE-ja

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përfshihet në procesin hartimit të ligjit të ri për Dhomat e Specializuar të Kosovës.

Ai ka bërë me dije se mund të bëhet një ligj i mirë edhe në bashkëpunim me BE-në.

Në një intervistë për emisionin “Intervista Nacionale”, Haziri ka vlerësuar se vetëm pas një procesi të tillë mund të llogaritet në mbështetjen e LDK-së për këtë ligj.

“Mundet me kon këtu një mundësi tjetër që edhe me bo ligj të mirë edhe me bo konsultime me ata që po duhet me bo, në mënyrë që me përballu bashkë një proces.”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se nëse plotësohet kjo kërkesë LDK-ja nuk do ta ketë problem votimin e këtij ligji.

“Besoj po, nëse bien krejt arsyet për me i thanë jo, atëherë pse nuk duhet”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së ka bërë me dije se kjo parti që nga fillimi i procesit të hartimit të ligjit ka kërkuar që të respektohen disa gjera.

“Tani, se çka mund prodhohet për një javë. Draft i ri mbi bazë të këtij drafti të vjetër apo mbi bazë një konsultimi me BE-në është çështje që duhet mu sqarua, sepse ka, siç e thashë, ka histori. Ose u dash me pasë lexim tretë, ose u dash me pasë ratifikim, ose u dash me pasë dekretim. Qysh proceduralisht ne i kemi pa problemet”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Me thënë drejtën, kemi thënë që ta punojmë kujdesshëm, ta punojmë bashkë, mos ndalim procese të tilla, sepse realisht LDK-ja qëndron në parimin drejtësi, por jo përmes procesit të pa drejtë. Ti nuk mundesh me vazhdu me insistu me kërku drejtësi përmes proceseve të padrejta, kështu që duhet me siguru që Dhomat e Specializuara me kry qëllimin për çka janë themelu. Kosova si themeluese me pasë rolin e vet si shtet dhe me garantu pavarësinë e gjyqësorit. Këtu është ajo për çka na kemi vuajt edhe ndoshta kemi dhënë adutin më të madh që është themelu në Hagë”, është shprehur ai.