Haziri: Nesër kryeministri mund të dëshmojë kapacitetin për marrëveshje finale me Serbinë

Vetëm pak ditë pas përshkallëzimit të situatës në veri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq morën ftesë për t’u takuar së bashku për të vazhduar dialogun.

E, takimi i thirrur nga Bashkimi Evropian do të mbahet nesër.

Ish-anëtari i ekipit të unitetit Lutfi Haziri, për FrontOnline, ka folur rreth këtij takimi.

Ai thotë se në takim Kurti e Vuçiqi do të flasin për shtensionimin e situatës në rast se implementohet vendimi për targa dhe për reciprocitetin me letërnjoftim.

“Takimi i 18 gushtit vjen si pasojë e ndërhyrjes së partnerëve të Kosovës, në veçanti nga ambasadori amerikan në Prishtinë dhe atij në Beograd lidhur me shtensionimin në rastin e implementimit të vendimit për tabelat apo vendosjes së reciprocitetit në këtë rast. Ky takim do të merret me pasojat e këtyre zhvillimeve, tha Haziri.

Përveç kësaj, Haziri thotë se nëse në takim nuk do të ketë shtyrje verbale do të ketë përpjeke edhe për zbardhjen e agjendës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Por edhe një përpjekje për ta zbardhur agjendën e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila duhet t’i ketë të ngërthyera të gjitha ato çështje që palët mes vete duhet t’i zgjidhin para se të nënshkruajnë një marrëveshje eventuale në periudhën e ardhshme, nëse nuk kalon takim me shtyrje verbale siç ka ndodhur në takimin e Berlinit apo në takimet e para në mes këtyre dyve”, pohoi ai.

Haziri tregon se cili duhet të jetë prioriteti i kryeministrit Kurti në takim me Vuçiqin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për Front Online, ka treguar edhe se cili duhet të jetë prioriteti i Qeverisë së Kosovës në takim e nesër në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidenti serbe, Aleksandër Vuçiq.

“Duhet ta kenë parasysh dhe prioritet negocimin sa më të shpejt të zgjidhjes së çështjeve që i kemi përpara. Natyrisht, me marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundon me njohje reciproke dhe i obligon të dyja palët që ta zbatojnë dhe mbi të gjitha me këmbëngulësi dhe me vullnet politik duhet të insistojmë që kjo të përfundojë sa më parë”, deklaroi ai.

Haziri: Nëse s’do të ketë marrëveshje në mes Serbisë dhe Kosovës, status quo-ja do të sjellë konflikt të ri

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri për Front Online, thotë se nëse nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, Status-quo do të sjellë konflikt të ri.

“Status-quo është armiku më i madh i Kosovës, sjell tensione dhe sipas edhe vetë kryeministrit të Kosovës po çon drejt një konflikti të ri”, deklaroi ai.

Sa i përket takimeve që Kurti ka pasur me Vuçiqin, Haziri deklaron se deri më tani Kurti nuk ka arritur asnjë marrëveshje me palën serbe dhe se nuk ka pasur asnjë veprim për gjetjen e një zgjidhje.

“Ka pasur takime sa për t’u takuar, por nuk ka pasur negociata. Asnjë marrëveshje e re nuk është arritur. Janë biseduar dhe dakorduar lidhur me metodat e implementimit që janë arritur nga ish-kryeministrat, Mustafa e Thaçi, apo autoritetet tjera të Kosovës. Ende nuk e kemi parë Kurtin në veprim për të zgjidhur një çështje të vetme në agjendën e cila pritet të shtjerret së bashku me ndërmjetësin ndërkombëtar, që në këtë rast është BE dhe Lajcak në emër të përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe lehtësimit të vjen nga SHBA-të”, tha Haziri.

Ai thotë se Kurti e ka mundësinë që më 18 gusht të dëshmojë se ka kapacitet të negociojë për shtjerrjen e agjendës në një marrëveshje eventuale gjithëpërfshirëse.

“Më 18 gusht kryeministri i Kosovës do të mund të dëshmojë kapacitetet e tij negociatore lidhur me shtjerrjen e agjendës në një marrëveshje eventuale gjithëpërfshirëse, dhe me modalitetet e implementimit të marrëveshjeve të arritura me herët që lidhet me veturat, ID-të, energjinë etj. Por, mbi të gjitha, se sa dhe në çfarë kapaciteti do të arrij ta mbyllë një çështje të hapur, mbetet të shihet”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq për herë të fundit janë takuar në Bruksel në korrik të vitit të kaluar.

Ndërsa, sot që të dy kanë zhvilluar takime të ndara me sekretarin e NATOs-Jens Stoltenberg.