Haziri: Nuk lejohen mbrëmjet dhe ahengjet në restorante e kafiteri me më shumë se 50 persona

Komiteti i Emergjencave për menaxhimin e pandemisë, ka mbajtur takimin e rregullt, ku ka vlerësuar gjendjen në 24 orët e fundit dhe ka bërë thirrje për kujdes maksimal.

Në bazë të shënimeve zyrtare të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, në Gjilan janë infektuar gjitsej 182 persona, prej tyre janë shëruar plotësisht 129 raste, 48 janë ende raste aktive, nën kujdes të vazhdueshëm dhe për fat të keq 4 raste të vdekjes, ka deklaruar kryetari Lutfi Haziri.

Haziri ka konfirmuar se njëri nga të infektuarit, mbrëmë vonë është bartur në Qendrën Klinike Infektive në Prishtinë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe trajtimi i tij do të vazhdojë atje, ndërsa pesë pacientë presin sot në Klinikën Infektive në Gjilan për testim, sipas rregullave të reja.

Ai ka thënë se pritet të bëhen edhe 48 testime, sipas simptomave që janë raste ambulantive dhe besojmë që në këto dy ditë IKShP do të pasqyrojë gjendjen reale të infeksionit në Gjilan, derisa ka apeluar për kujdes dhe ka konfirmuar se nuk lejohet organizim i ahengjeve, muzikës live dhe organizimeve të tjera në restorante, kafiteri apo të ngjashme.

“Policia e Shtetit ka marrë vendim dhe do të ndërhyjë së bashku me Inspektorët e komunalë në tërë territorin e Gjilanit. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithë atyre që kanë planifikuar organizime gjatë vikendit, por nuk është e mundur të lejohet organizimi i mbrëmjeve muzikore dhe ahengjeve të cilat kanë më shumë se 50 persona”, ka njoftuar Haziri.