Haziri: Shtabi i emergjencave është aktiv, shmangini daljet në rrugë me makina gjatë reshjeve

Pas reshjeve të mëdha të shiut, ditën e djeshme, që përfshinë komunën e Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri ka mbajtur sot takim me drejtorët komunalë dhe shtabin e emergjencave dhe pas analizimit të situatës, në një konferencë me gazetarë, ka deklaruar se gjendja është menagjuar pa ndonjë rrezik për jetën e qytetarëve, përkundër që ka pasur depërtim të ujit nëpër bodrume dhe oborre, në pikat më të ulëta në qytet.

“Gjatë ditës së djeshme kishim reshje shiu me një intensitet të shtuar, që fatmirsisht nuk kemi rrezik të jetës së qytetarëve, por vetëm dëme materiale. Edhe për sot, nesër dhe pasnesër janë paralajmëruar reshje, prandaj apelojmë që gjatë kohës kur janë paralajmëruar reshje më të mëdha, qytetarët të qëndrojnë nëpër shtëpi që të mos shkaktohen tollovi me vetura në komunikacion, e pastaj të pengohet edhe intervenimi i ekipeve emergjente në terren”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai tha se gjatë ditës së djeshme nga të dhënat zyrtare janë konfirmuar 25 ndërhyrje nga institucionet emergjente nga 52 kërkesa të qytetarëve për ndihmë, kryesisht nga drejtuesit e automjeteve në komunikacion, derisa një familje është evakuuar përkohësisht nga shtëpia në Deremahallë, por që e njejta është kthyer pas pak kohe në shtëpi.

Kryetari Haziri ka apeluar që të kontaktohen numrat kujdestar 112 dhe 193 për të kërkuar ndihmë ose për të njoftuar për ndonjë emergjencë për vërshimet, sepse ekipet e emergjencave komunale do të reagojnë menjëherë.

“Shtabi i Emergjencave është i vendosur në objektin e zjarrëfikësve në Gjilan dhe atje ka kujdestari dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së përgjithshme në Gjilan. Nga vlerësimet e tanishme ka kryesisht hyrje të ujit nëpër bodrume apo oborre. Nuk bëhet fjalë për vërshime sikur në rastin e fshatit Pogragjë, muaj më parë, ku kemi ndërhyrë në infrastrukturë për rikthim të gjendjes në normalitet”, ka thënë mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.