Haziri viziton familjen Shaqiri në Vrapçiq, i rikonfirmon mbështetjen për ta tejkaluar këtë sfidë

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me stafin e shëndetësisë primare dhe të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, ka viztuar anëtarët e prekur nga virusi Covid-19 në, në Vrapçiq, për t’iu rikonfirmuar përkrahjen.

“Kemi ardhë për ta parë gjendjen e familjes Shaqiri në Vrapçiq, e cila rezultoi pozitiv me Covid-19. Ekipet shëndetësore i kontrollojnë vazhdimisht anëtarët e prekur dhe ne sot dëshirojmë të solidarizoheni me këtë familje dhe me fshatin Vrapçiq, i cili është në karantinë”, ka deklaruar Haziri, duke ritheksuar se do të jenë afër tyre edhe me barna dhe me ushqim.

“Le të vazhdojnë me vetizolim dhe vetëpërmbajtje sepse është rruga më e mirë që të përballohet kjo gjendje. Do të vazhdojmë të jemi afër tyre, edhe me barna dhe me ushqim. Shpresoj shumë që gjendja e anëtarëve që gjenden në Klinikën Infektive në Prishtinë, të përmirësohet sepse janë në kushte stabile shëndetësore”, ka theksuar kreu i Gjilanit.

Haziri ka apeluar qytetarët që të rrinë në shtëpi, të kenë kujdes në higjienë, të mos përshëndeten me duar, në mënyrë që të mos lejohet përhapja nga pakujdesia.

Falënderim për vizitën dhe mbështetjen e madhe ndaj kryetarit Haziri, ka shprehur kryetari i fshatit Vrapçiq, Mexhid Emini.

Mbështetjen e vazhdueshme shëndetësore ndaj familjes Shaqiri e ka rikonfirmuar dhe drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, dr. Fejzulla Berisha./Mediafokus.info/