He, po zor koka me e ndrrue memleçetin

Hasan Bunjaku

Të pamet dhe vizitat për kryeshëndosh të dashamirësve e të të njohurve, tashmë u kryen. Babë Zeneli, përkundër të gjithave – “pej ksaj l’kure nuk dilet…” e “të gjallët duhet të munohen” sa të jenë gjallë – e rinisi punën e dokumentave për rregullimin e “letrave” për Vesika për Turki.
Shkoi deri në Shkup, së pari te fotografi, e mori fotografinë kolektive që e kishin bërë në Desivojcë, e pastaj, bashkë me të, dhe me një tubë dokumentash tjerë, u drejtua te Zyrja e Konsullatës turke: Zyrtari, një burrë shkurtalaq e trashalluk sa mezi lëvizte në njëfarë kolltuku të madh, i mori dokumentat, i kontrolloi një për një, dhe nuk gjeti asnjë vërejtje. Radha i erdhi fotos. Pasi e vështroi bukur gjatë, me një gjuhë “bukurish” shqip e turqisht, iu drejtua Babë Zenelit:
– Krejta dokumenta rregulla, e ere syneti temiz ja paska dal… – dhe sapo deshi t’ia bashkojë dokumenteve tjera, seç iu kujtua diçka:
– A ja kanë kanë krejt insanat k’tu qi po dojnë me ja dal n’Turkije… Mos ja ka kanë naj njo “fazlla” (më shumë), apo “noksan” (mangut), se nuk ja ban hiç me livrit insanat pej k’tina syretat (fotos)…!
Babë Zenelit, i therri diçka thellë në qenien e tij diku kah zemra, dhe u prish në fytyrë: “Haj, medet, po puna qi po don me dalë…”, i feksoi nëpër mend, pasi në foto ishte Sadriu, e në fakt, ai tashmë po prehej te varrezat e Lamës së Kosumit… Iu afrua Zyrtarit turkoshak, dhe ashtu siç e mbante foton në tavolinë para vetes, Babë Zeneli, e vuri gishtin pikërisht, aty ku ishte Sadriu:
– Qeky qetu nuk asht ma: ka dekë e e kemi çue n’vorre…! Shka i bahet hallit?…
– Ja ka dekë, a? Demek ylmish? Allah xhehenete jollsun! (Zoti e pastë çue n’Xhehenet!)
– Po, amin, efendi… – mezi i doli zëri nga goja që i ishte bërë rryp, Babë Zenelit.
– Ama hiç ollmaz! Jaramaz, jahu! Bir insana noksan, nuk ja ban… Ja duhet ni tjetër resëm, syret, demek, tash, noksan ky sabija…!
– A s’ka naj “derë tjetër”, t’ia bajm diqysh…? – aludoi Babë Zeneli në ndonjë ryshfet, që e “hangshin” fort atëherë, gjithkund.
– Jok, xhanëm, ollmaz! Nuk ta l’shon aj çatipat te hudutat (kufijtë), me kit syret. Po, nuk ja ka kanë naj belaja i mall: bane da bir syret me komplet familja, shimdi!
– Po qysh nuk asht bela, a e din ti sa telashet m’dalin tash me syretxhinë, me e çue pej ktuhit e teri n’Malsi, ku e kam katunin…
– Valla, ti po ja dish ma mira: veç beklema çok (mos prit shumë), se ja kanë kanë do isharete hiç t’mira: naj dita, hiç nuk ja dihet: mshelet huduti e “kalaxhan butarafa, kaurllarlen”! (…e mbetesh këndej, me kaurë)…
– Hajr, ishalla…! – foli babë Zeneli që ishte bërë “vetë i katërdheti”:
– Ej sadile!… (mirëmbetsh!) – e përshëndeti Babë Zeneli trashallukun.
– Sa oll!… – ia kthei përgjigjen Zyrtari i Konsullatës turke.
Babë Zeneli, i kapluar djersësh, jo nga moti fort i nxehtë, sa nga sikleti, u drejtua kah Punëtoria e “Ustah syretxhisë”. Kur u afrua tek dera e pa se ajo ishte e mbyllur e në të një pusull e ngjitur me do shkronja, të cilat s’i dinte babë Zeneli, sepse, si gjithë Malësia e asaj kohe, ishin analfabetë: shqipen nuk lejohej ta mësonin, e turqishten, s’kishin si ta mësonin në ato gërxhe, në të cilat, madje as u vyente gjë prej gjëje. E pyeti një djalë të ri, që po kalonte skaj Punëtorisë, se nëse dinte t’i tregonte se ç’kishte të shkruar në atë pusullë… Djali, pasi u ndal, e lexoi diç në të, iu drejtua Babë Zenelit:
– Efendi, resëmxhia po thot se nuk do të jetë për dy javë në Punëtori, se paska shkue me punë në Sanxhak, atje përtej Mitrovicës…
– Banma hallall se t’munova, o djalë i mirë!… – iu drejtu atij.
– Hallal kat me kat, more, se nuk “çova ran” kurgja… ia ktheu me shaka, çuni, kund nja 15-16 vjeç…
Me fotografinë në dorë, që e mori si një send të pavlefshëm nga Zyrtari turk, Babë Zeneli, i shkallmuar siç ishte u ul në një stol parku:
– Po, tashti: “hipi ukit e njelli qentë” i thojnë ksaj pune. Ky syret nuk ban se asht ai i ngrati k’tu… “Haj more bir, as n’ syret s’po t’lajkan me e kapërcye hudutin…”. Paj, mosvet për neve, de. Zatën, kjo e mallkueme Turki, me hesap, u ba sebep e m’shkove pa exhel, e tash, ky barkaqoki thot, nuk ban me ty, po nreqe ni tjetër, tash, pa ty… He, po zor koka me e ndrrue memleqetin, he nama e zezë e hangërt! S’e di jo, veç shumë e garrametet donë me dalë… Le t’del ku t’del, qysh ta ketë shkrue ai I Madhi, bahet, e na veç bahemi kasavet badihava… – mendoi dhe sakaq i ra në mend se kishte uri shumë. Qysh e kishte fotografinë aty, mori e po i numron anëtarët: Unë, vetë i katërti; Rama, vetë i gjashti; Ramizi, vetë i treti, krejt toptan bajnë 13, pa Sadrinë, po de. Shkoi deri tek furra e parë dhe i bleu 13 samuna të nxeta: njanin e ndau e të tjerët i mbështolli mirë me një shervete (lloj shamije e burrave), dhe e lidhi për mjedisi e atë që e ndau e hangër me shije. U nis kah Stacioni i trenave për ta zënë ndonjë tren për Ferizaj, apo Bujanoc…

(shkruar në prill 2014)