Kjo është heroina e Lutfi Hazirit në administratë

Kanë kaluar më shumë se tri vite kur Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër ish kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa, së bashku me 28 zyrtarë komunalë, të cilët ngarkohen me vepra penale që lidhen me korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pas kësaj aktakuze, më se keqi ka pësuar Departamenti i Prokurimit. U ‘zbraz’ i tëri, pasi zyrtarët që kishin aktakuzë, u suspenduan deri në verdiktin e gjykatës.

E vetmja që kishte mbetur aty është zyrtarja komunale, Havishe Aliu-Shaqiri, e cila për më shumë se 18 vite ka punuar në këtë departament.

E kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, Aliu-Shaqirin e ka cilësuar si heroinë.

“Gjilani e ka pasur fatin e keq sepse është dashur të suspendohen 30 punëtorë për të preventuar korrupsionin dhe format korruptive sipas vendimit të gjykatave dhe Zyra e Prokurimit ka mbetur në duart e një heroine, e cila ka rezistuar duke mos qenë pjesë e këtij procesi”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton MediaFokus.

Heroina e administratës së Gjilanit, Havishe Aliu-Shaqiri, ndjehet e emocionuar me këtë epitet që ia dha i pari i Komunës.

“Pas një vlerësimi të tillë, natyrisht që njeriu ndjehet mirënjohes kur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri çmon punën dhe përkushtimin tim profesional në lëmin e prokurimit publik. Parimet e mia gjithmonë kanë qenë që së pari profesionalisht të jap maksimumin, por jo më pak e rëndësishme është që t’i jap vlera etike e morale asaj që punoj, duke respektuar ligjet në fuqi”, thotë ajo për MediaFokus.

Havishe Aliu-Shaqiri tash është angazhuar në kuadër të Inkubatorit të Biznesit dhe këtë përkushtim thotë se po e vazhdon edhe në pozitën e re të shërbimit civil.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë, por dëshira që t’i kontribuoj qytetit tim, Gjilanit dhe qytetarëve, më ka dhënë forcë në këto 20 vite që ta kryej profesionin tim me nder e përkushtim dhe kështu do të vazhdojë edhe me tutje”, ka thënë ajo./MediaFokus/