Heronjtë e heshtur: Përlotet mjekja, nuk i kam takuar fëmijët prej 8 marsit

Mjekët janë heronjtë e heshtur në këtë situatë pandemie, që ka mbërthyer botën gjithandej dhe po merr jetë njerëzish çdo ditë.

Njëra prej këtyre heronjve është infektologia, Elda Qyra ishte e ftuar në Open te Top Channel ku foli për luftën ndaj Covid-19.

Ajo tregoi se përveç luftës me virusin asaj i është dashur të përballet edhe me faktin që është larg familjes.

Fëmijët tashmë ndodhën në shtëpinë e prindërve të saj që prej datës 8 mars, për dy arsye: ajo e të qenit larg rrezikut dhe e dyta ishte që të mos e shihnin teksa ajo përballej me këtë luftë.

“I kam nxjerr nga shtëpia, jetojnë me prindërit e mi që me 8 mars. Arsyeja është mos rrezikimi, por edhe që t’mos më shihnin mua se si e përballoja këtë luftë. Fillimi ka qenë i vështirë. Secili nga mjekët e kanë të vështirë. Nuk doja të shihnin këtë emocion, frika dhe ato lajmet e fillimit nga çdo vend i botës. Jam mësuar që t’mos ua kaloj emocionin e fundit fëmijëve“, ka thënë ajo.

“Janë fëmijë të mbarë dhe e kanë kuptuar se duhet të rrinë pak larg. Më thonë se kur do të përqafoj, por vetëm ju flas dhe largohem. Nuk do e kisha menduar kurrë që do isha kaq afër dhe kaq larg. Por do ia dalim të gjithë bashkë”./mediafokus.info