“Hiç mos u vaksinohuni”!

Varianti Delta, dy herë më ngjitës, po prek gjithnjë e më shumë fëmijët edhe nën moshën 10 vjeç.

Deri vonë, një nga elementët e vetëm ngushëllues të kësaj pandemie, ishte se virusi Covid nuk i sulmon shumë fëmijët. Mirëpo varianti Delta e ka ndryshuar lojën. Pandemia po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë.

Ky zhvillim konfirmohet nga numri i rasteve të reja, por edhe numri i shtrimeve në spital, ka thënë Patrick Mathys, kreu i seksionit të Menaxhimit të Krizave dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Zyrës federale të shëndetit publik (OFSP), të martën, në një konferencë për shtyp.

“Një rritje e rasteve regjistrohet veçanërisht tek fëmijët nën 10 vjeç” – tha ai.

Nga ky lajm kuptojmë se në Zvicër, si në pjesën tjetër të botës, infektimi me variantin Delta nuk po i kursen as moshat e reja e as fëmijët.

E ju, hiç mos u vaksinohuni!

Që nga mesi i verës, ashtu siç lulëzonin infeksionet e reja tek të rriturit, edhe infektimi i fëmijëve midis moshave 0-9 vjeç ka qenë në rritje (27 rastet e identifikuara në javën e parë të korrikut, në 269 raste një muaj më vonë).

Numri i shtrimeve në spital është rritur gjithashtu, por mbetet i ulët: 11 shtretër të zënë aktualisht nga fëmijë nën 10 vjeç.

Në Spitalet Universitare të Gjenevës dhe në Vaud, për momentin situata është e qetë, nuk ka të shtruar me Covid në pediatri, përgjigjen mjekët kryesorë të spitaleve të fëmijëve të të dy këtyre kantoneve.

«Nga ana tjetër, ne kemi vërejtur për dhjetë ditë një fluks të fëmijëve me simptoma në urgjencë. Shumica prej tyre janë kthyer nga pushimet. Pra, nga kjo ju bëjmë me dije se virusi po qarkullon në pediatri, kjo është e sigurt” – thotë Mario Gehri, kryemjek në pediatri të Lozanës.

E ju «hiç mos u vaksinohuni» në Kosovë! Pse të shqetësoheni?

Shqetësimi është i madh në Shtetet e Bashkuara, thonë ekspertët e shëndetësisë. Kosova është larg nga Amerika, sidoqoftë apo jo?

Megjithatë atje, në valët e mëparshme, Departamenti i Pediatrisë kishte vërejtur kryesisht disa forma serioze të Covid tek fëmijët, jo në kohën e infektimit, por disa javë më vonë. Një pjesë e vogël e fëmijëve të infektuar zhvilluan “sindromën inflamatore të shumë sistemeve”, duke pasur dhimbje të barkut, shqetësime gastrointestinale dhe inflamacion të zemrës.

E ky Departament tregon se shumica e fëmijëve janë shëruar.

Duhet pasur parasysh se është gjithmonë një efekt vonesë midis një rritjeje të kontaminimit dhe shtrimeve në spital.

Gjithashtu ne tashmë e dimë se varianti Delta është dy herë më ngjitës: kjo do të thotë se do të infektojë të rinjtë më shumë se variantet e tjera.

E ju «hiç mos u vaksinohuni»!

E gjithë pyetja është nëse i bën apo jo fëmijët më të sëmurë. Studime të ndryshme të kryera në Kanada, Skoci dhe Singapor tregojnë se ka tendencë, sipas kërkimeve, se varianti Delta është përgjegjës për një formë më virulente të virusit, citon e përditshmja zvicerane TdG.

Në Shtetet e Bashkuara, specialistët janë të shqetësuar për rritjen e rasteve të fëmijëve të shtruar në spital, pas infektimit me Covid. Aktualisht, gati 1.500 fëmijë janë pranuar në spitale, një shifër që nuk është arritur deri më tani.

Për Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit, varianti Delta ka qenë vërtet një ndryshues i lojës për fëmijët.

“Shumica e fëmijëve shërohen shumë mirë. Por disa janë shumë të sëmurë dhe përfundojnë në kujdes intensiv dhe për fat të keq ne kemi disa fëmijë që edhe kanë vdekur nga ky virus” – tha ai për mediat amerikane.

Larg Amerika, «hiç mos u vaksinohuni» ju!

Viktimat kryesore deri dje ishin të moshuarit, pothuajse në të gjithë botën. «Kur plakesh, t’vjen vdekja nga diçka» ishte një ritual ngushëllues, por edhe injorues i së vërtetës së hidhur nga disa.

Mirëpo ajo që sot shohim na bënë të kuptojmë se Covid-19 nuk i ka zbuluar ende të gjitha misteret e tij.
Ndryshe nga të rriturit, tek të cilët janë përcaktuar faktorë të caktuar rreziku, më të rinjtë janë të barabartë përballë Covid: ashpërsia jo e madhe e simptomave të tyre, ” thot Mario Gehri.

Sot në kohën kur çdo i rritur duhej tashmë të ishte i vetëdijësuar e i vaksinuar, duke pasur parasysh këtë valë të katërt që kemi përballë, të gjithë mjekët e fëmijëve na përkujtojnë se fëmijët kanë paguar çmimin më të rëndë të pandemisë.

“Jo për shkak të virusit në vetvete, por si rezultat i masave të marra nga shoqëria, siç ishin mbyllja e shkollave, mbyllja në shtëpi, ngjarjet si humbja e punës së prindërve, vdekja e gjyshit, gjyshes… Tek fëmijët, stresi, qëndrimi i tepërt para ekranit, dëmtimi i shëndetit mendor: janë pasoja serioze”, thonë specialistët shëndetësorë të fëmijëve.

E ju, pse të vaksinoheni, «hiç mos u vaksinohuni»! Rrena janë k’to.

Përgjegjësia jonë ndaj të moshuarve dhe personave me probleme shëndetsore që kishim treguar deri më tani, ka humbur arsyen. E sot, masat për të kundërshtuar këtë valë të katërt absolutisht do të duhet të përshtaten me fëmijët, në mënyrë që ata të mos jenë më viktimat kryesore, për shkak të «tekeve» dhe jopërgjegjësisë sonë shoqërore.

“Hiç mos u vaksinohuni ju”!

Më mirë për juve edhe për fëmijët që keni, apo?/Mirishahe Limani Hiler